Shqipëria Postuar më 28 September 2026, 11:42

Transparenca i jep zë qytetarit - 28 Shtatori rikthen në vëmendje të drejtën për informacion publik

Nga Edel Strazimiri

informacion

28 Shtatori, Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për Informim, sjell në vëmendje rëndësinë e transparencës së institucioneve dhe aksesit të qytetarëve në informacionin publik.

Kjo ditë u shpall nga UNESCO në vitin 2015 si Dita Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacion, ndërsa në vitin 2019 u njoh zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

E drejta për informim u mundëson qytetarëve të kuptojnë se si merren vendimet publike, si përdoren burimet e shtetit dhe si ushtrohet pushteti, duke forcuar transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Në kuadër të kësaj dite, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ndërmarrë një nismë ndërgjegjësuese pranë autoriteteve publike.

Përmes posterave informues me mesazhin “Ti ke të drejtë të informohesh. Ne kemi detyrim të përgjigjemi”, qytetarëve u ofrohet informacion praktik për mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte.

Nëpërmjet kodeve QR, qytetarët mund të shkarkojnë Formularin Model të Kërkesës për Informacion ose të plotësojnë formularin e ankesës pranë Komisionerit.

Materialet janë përcjellë edhe në format elektronik, me kërkesën që institucionet t’i publikojnë në faqet e tyre zyrtare. Nisma synon të nxisë komunikimin e hapur dhe një administratë më transparente dhe më të aksesueshme.

E drejta për informim konsiderohet një e drejtë themelore dhe një element i rëndësishëm për transparencën, integritetin institucional dhe besimin e publikut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat