Shqipëria Postuar më 28 September 2026, 11:16

Leku i fortë uli koston e kredisë - BSH: Zhvlerësimi i euros lehtësoi këstet për qytetarët që të ardhurat i kanë në lekë

Nga Ledina Elezi

kredii

Forcimi i lekut ndaj euros gjatë muajve të fundit ka sjellë një efekt të drejtpërdrejtë edhe për qytetarët që kanë marrë kredi në monedhën evropiane.

Për një familje që merr të ardhurat në lekë, por ka një kredi në euro, zhvlerësimi i euros do të thotë se e njëjta shumë që duhet t’i paguajë bankës kushton më pak lekë. Pra, nëse kësti i kredisë është i përcaktuar në euro, rënia e kursit të euros bën që, kur ai këst kthehet në lekë, të nevojiten më pak para nga buxheti familjar.

Ky është efekti pozitiv i forcimit të lekut. Kreditë në euro mbartin një rrezik të lidhur me kursin e këmbimit për ata huamarrës që nuk kanë të ardhura në euro. Nëse në të ardhmen euro do të forcohej ndaj lekut, atëherë i njëjti këst në euro do të kërkonte më shumë lekë për t'u paguar. Me fjalë të tjera, kursi i këmbimit mund ta bëjë një kredi në euro më të lirë ose më të shtrenjtë në varësi të drejtimit që merr euroja.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit kredia e pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit u rrit me rreth 5%. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, ajo shënoi një rënie të lehtë. Pothuajse e gjithë kjo kredi është në euro, rreth 98%, ndërsa pjesa e saj ndaj kredisë totale të sistemit bankar mbetet relativisht e kufizuar, rreth 9%.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre huave lidhet me pasuritë e paluajtshme, kryesisht kredi për blerje apo investime në prona.

Megjithatë, pavarësisht lëvizjeve të kursit, deri në fund të qershorit nuk është konstatuar një përkeqësim i ndjeshëm i cilësisë së këtyre kredive. Kreditë me probleme në këtë segment mbetën në rreth 3.8%, pothuajse në të njëjtin nivel me fundin e vitit të kaluar.

Kështu, forcimi i lekut ka sjellë një lehtësim për ata që shlyejnë kredi në euro me të ardhura në lekë, pasi për të paguar të njëjtën shumë në euro nevojiten më pak lekë.

Por për huamarrësit, kursi i këmbimit mbetet një faktor që duhet marrë në konsideratë. Një euro më e fortë në të ardhmen do të nënkuptonte më shumë lekë për të shlyer të njëjtën kredi.

Ndërsa për sistemin bankar, të dhënat e gjashtëmujorit tregojnë se ekspozimi ndaj këtij rreziku vijon të jetë i kufizuar dhe portofoli i kredive të pambrojtura ruan një cilësi të qëndrueshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat