Shqipëria Postuar më 9 October 2026, 13:55

Shqipëria, 1 vit në SEPA - 8.7 mld lekë dhe 788 mijë pagesa ndërkufitare në euro. Kostot, shumë më të ulëta

Nga Ledina Elezi

Shqipëria, 1 vit në SEPA - 8.7 mld lekë dhe 788 mijë pagesa

Më 7 tetor të vitit të kaluar, Shqipëria nisi zyrtarisht transfertat me SEPA. Që nga ai moment, kostot e transfertave të emigrantëve shqiptarë që i dërgojnë para familjeve të tye në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve brenda vendit që nisin transaksione në euro drejt vendeve të tjera nëpërmjet këtij sistemi, janë ulur ndjeshëm.

Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, në 11 muaj ka pasur një “boom” të parave që janë dërguar në Shqipëri përmes këtij sistemi, por edhe të transaksioneve në euro nga vendi jonë drejt shteteve të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro. Në total, janë kryer 788,135 transferta hyrëse dhe dalëse SEPA me një vlerë totale prej rreth 8,686 milionë eurosh (8.7 miliardë). Rreth 43% e numrit të transfertave hyrëse dhe dalëse i përkasin individëve dhe pjesa tjetër bizneseve.  

Rreth 69% e transfertave dalëse janë iniciuar online (mobile banking ose internet banking), duke reflektuar lehtësinë dhe kostot favorizuese për kryerjen e transfertave online.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kostot e transfertave kanë rënë në mënyrë dramatike. Për një transfertë prej 5 mijë eurosh, tarifa ka zbritur nga 0.76% në vetëm 0.08%, një ulje prej rreth 90%. Ndërsa për një transfertë prej 20 mijë eurosh, kostoja ka rënë nga 0.47% në 0.02%, mbi 95% më pak.

Kjo nënkupton se një biznes që më parë paguante qindra euro për një transfertë të madhe, sot paguan vetëm një pjesë shumë të vogël të asaj shume.

Nisur nga parashikimet e hershme, ekonomia shqiptare kursen rreth 70 milionë euro nga reduktimi i kostove të transaksioneve në euro.

Nga një situatë ku transfertat ndërkufitare ishin shumë herë më të kushtueshme se në BE, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku pagesat në euro trajtohen me standarde të njëjta me ato evropiane, një hap konkret drejt afrimit ekonomik me Bashkimin Evropian dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat