Shqipëria Postuar më 9 October 2026, 17:08

Zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, Karakaçi: Mbrojtja lumore, komponent i rëndësishëm i projektit

Nga Scan TV

Zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, Karakaçi: Mbrojtja lumore,

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar punimet që po kryhen për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Sipas tij, mbrojtja lumore është një nga komponentët më të rëndësishëm të projektit dhe po realizohet për herë të parë në këtë aks.

“Rreth 6 muaj më parë, gjatë zhvillimit të projektit, një rrëshqitje masive krijoi probleme të mëdha jo vetëm për ecurinë e punimeve, por edhe për lëvizjen e automjeteve. Sipas vlerësimeve të specialistëve në terren, një nga faktorët që ndikoi në këtë situatë ishte edhe erozioni i thellë i shkaktuar nga mungesa e mbrojtjes lumore.

Gjatë javëve të fundit janë shfaqur në rrjetet sociale pretendime se po “shkatërrohet shtrati i lumit” apo se po “devijohet rrjedha” e Shkumbinit. Këto janë të gjitha shqetësime të drejta. 

Megjithatë sqaroj që ndërhyrja që po kryhet është plotësisht pjesë e Projektit të Zbatimit dhe nuk përbën devijim të pakontrolluar të lumit. Në këtë fazë po realizohet sistemi mbrojtës i rrugës me pilota dhe mur betoni, ndërsa rruga do të ngrihet rreth 18 metra mbi nivelin aktual të lumit. Për të kryer këto punime në kushte të sigurta dhe të thata, është ndërtuar një argjinaturë provizore, e cila izolon përkohësisht zonën e punimeve nga prurjet e lumit”, tha Karakaçi.

Sipas Karakaçit, pavarësisht pamjes që mund të krijojë shqetësim, nuk është konfigurimi përfundimtar i shtratit të Shkumbinit, por një masë e përkohshme e nevojshme për realizimin e punimeve.

“Me përfundimin e punimeve, argjinatura provizore do të hiqet dhe lumi do të marrë konfigurimin e përcaktuar në projekt. Ndaj, ajo që po ndërtohet sot nuk është shkatërrim i lumit, por pjesë e një ndërhyrjeje të planifikuar për mbrojtjen e rrugës dhe të vetë shtratit lumor, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e infrastrukturës dhe funksionimin normal të Shkumbinit”, tha Karakaçi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat