Shqipëria Postuar më 9 October 2026, 13:28

Shkodra, drejt transformimit - Kopshti Linear dhe aksi multimodal, FSHZH shpall garën 

Nga Ernilda Luzi

Shkodra, drejt transformimit - Kopshti Linear dhe aksi multimodal, FSHZH shpall

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur garën për shërbime konsulence për hartimin e projektit të detajuar për ndërhyrjen “Kopshti Linear dhe Aksi Multimodal Veri–Jug i Shkodrës”. Fondi limit i procedurës është 28 milionë e 57 mijë lekë. Projekti synon transformimin e një prej korridoreve kryesore të qytetit, përmes shtimit të gjelbërimit, përmirësimit të hapësirave publike dhe krijimit të kushteve më të sigurta për këmbësorët dhe çiklistët.

Sipas dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrja është pjesë e programit “Porta e Alpeve”, i financuar përmes një huaje kuadër nga Banka Evropiane e Investimeve dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti parashikon riorganizimin e aksit veri–jug, nga lagjja “Rus” deri te rrethrrotullimi i Bypass-it në jug, duke përfshirë rrugën “Mbreti Gent”, bulevardin “Zogu i Parë”, rrugën “Studenti” dhe disa prej shesheve kryesore të qytetit.

Sipas konceptit të përcaktuar në dokumentet e tenderit, synimi është që ky aks të mos jetë më një hapësirë e dominuar nga automjetet, por një korridor urban shumëfunksional, ku përparësi do të kenë lëvizja në këmbë, biçikletat dhe transporti publik. Për këtë qëllim, parashikohet zgjerimi dhe përmirësimi i trotuareve, krijimi i korsive të mbrojtura për biçikletat, riorganizimi i parkimit dhe rritja e sigurisë në kryqëzime e kalime këmbësorësh.

Gjithashtu, sipas projektit do të krijohet kopshti linear përgjatë bulevardit, përmes shtimit të pemëve, sipërfaqeve të mbjella dhe hapësirave të gjelbra. Referuar dokumentit, parashikohen gjithashtu zgjidhje peizazhistike me bimësi vendase, përmirësimin e ndriçimit publik dhe ndërhyrje për menaxhimin e ujërave të shiut, me synimin për të përmirësuar cilësinë e mjedisit urban dhe për të ndihmuar në përballimin e problematikave të përmbytjeve.

Ndërhyrjet do të përfshijnë edhe sheshet “Balshaj”, “Parrucë” dhe “Demokracia”, si dhe zonat përreth institucioneve arsimore, kulturore dhe hapësirave publike. Vëmendje e veçantë parashikohet për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, përmirësimin e stacioneve të autobusëve dhe krijimin e një infrastrukture më të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.

Projekti është pjesë e Planit të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane të Shkodrës dhe Velipojës, të miratuar nga Këshilli Bashkiak në nëntor të vitit 2025. Ai synon të lidhet edhe me investime të tjera të parashikuara në qytet, si Parku i Hyrjes, zona e tregut të Zdrales dhe Distrikti Muzeal, duke krijuar një korridor që ndërthur transportin, hapësirat publike, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin turistik të Shkodrës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat