Analiza Postuar më 9 October 2026, 11:47

Sa kushtojnë turet historike? Shqipëria, ndër alternativat më ekonomike në rajon dhe Europë

Nga Scan TV

Sa kushtojnë turet historike? Shqipëria, ndër alternativat

Një pjesë e rëndësishme e udhëtimeve turistike janë edhe vizitat në monumentet historike dhe sitet kulturore, të cilat pasqyrojnë periudha të ndryshme të historisë së një vendi. Për turistët, këto destinacione janë një mundësi për të njohur nga afër të kaluarën, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara në platformën GetYourGuide, një tur I organizuar mund të përfshijë transportin, guidën dhe aktivitete shtesë, jo vetëm hyrjen në vendin historik.

Një nga destinacionet më të kërkuara në kryeqytet është Bunk’Art, i cili sjell një dëshmi të rëndësishme të periudhës komuniste në Shqipëri. Eksperiencat turistike që përfshijnë vizita në këtë muze kushtojnë nga 15 deri në 25 euro, në varësi të ofertës. Ndërkohë, një vizitë në Kalanë e Krujës, një prej simboleve historike të vendit, kushton rreth 17 deri në 20 euro.

Për turistët që dëshirojnë të shkojnë përtej vizitave tradicionale dhe të njihen më nga afër me historinë e periudhës komuniste, ofrohen edhe guida të dedikuara, çmimet e të cilave mund të kalojnë 70 euro. Këto ture u japin mundësi vizitorëve të zbulojnë histori dhe vende që lidhen me një prej periudhave më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë.

Edhe qytetet dhe parqet arkeologjike përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike. Një vizitë në Apolloni kushton rreth 75 euro, ndërsa për të eksploruar ish-burgun e Spaçit, një prej vendeve që dëshmojnë represionin gjatë regjimit komunist, çmimi mund të arrijë në 180 euro. Kostoja më e lartë në këto raste lidhet me eksperiencat e organizuara, të cilat mund të përfshijnë transportin dhe shërbimet e guidës, dhe jo domosdoshmërisht vetëm hyrjen në destinacion.

Në jug të vendit, vizitat në Kalanë e Gjirokastrës kushtojnë rreth 65 euro për një eksperiencë të organizuar, ndërsa turet që përfshijnë Parkun Kombëtar të Butrintit dhe Kalanë e Lëkurësit variojnë nga 30 deri në 40 euro, sipas paketës së zgjedhur.

Në krahasim me rajonin, çmimet për eksperiencat historike dhe kulturore në Shqipëri janë përgjithësisht të ngjashme, ndërsa në Europë kostot ndryshojnë ndjeshëm nga një destinacion në tjetrin, duke e bërë Shqipërinë një alternativë për turistët që duan të ndërthurin pushimet me njohjen e historisë dhe kulturës me çmime ekonomike.

Sa kushtojnë turet historike? Shqipëria, ndër alternativat

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat