Me laps dhe letër Postuar më 9 October 2026, 10:45

Sa lekë “na hanë” veset? Shqiptarët shpenzojnë rreth 4 mijë lekë në muaj për alkool dhe duhan

Nga Xhorxhina Deda

Sa lekë “na hanë” veset? Shqiptarët shpenzojnë

Alkooli dhe duhani po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxhetit familjar. Në vitin 2025, kjo kategori përbënte 4.3% të shpenzimeve mesatare mujore të familjeve shqiptare, nga 4.2% një vit më parë. Një peshë që, në pamje të parë, mund të duket e vogël, por që e përkthyer në lekë merr përmasa shumë më domethënëse. 

Sipas INSTAT, një familje në Shqipëri shpenzoi mesatarisht 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025. Duke aplikuar peshën prej 4.3%, rezulton se rreth 4,100 lekë në muaj shkojnë për pije alkoolike dhe produkte duhani. Në harkun e një viti, kjo përkthehet në afërsisht 49 mijë lekë për familje. 

Por panorama bëhet edhe më interesante kur shohim ritmin e rritjes. Shpenzimet për “pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 5.1% ndaj vitit 2024, më shumë se dyfishi i rritjes prej 2.3% të shpenzimeve familjare në tërësi. Kjo ishte ndër rritjet më të larta të regjistruara gjatë vitit, pas argëtimit dhe kulturës. 

Edhe krahasimi me zëra të tjerë të buxhetit është domethënës. Alkooli dhe duhani marrin 4.3% të shpenzimeve, një peshë më të lartë se ajo e shëndetit, 3.4%, arsimit, 3.3%, komunikimit, 3.7% apo argëtimit dhe kulturës, 2.8%. 

Në rang vendi, shpenzimet mujore për konsum arrijnë në rreth 72.3 miliardë lekë. Një përllogaritje e “Scan Intel”, duke përdorur peshën prej 4.3%, e çon faturën për alkool dhe duhan në rreth 3.1 miliardë lekë në muaj, ose afërsisht rreth 37 miliardë lekë në vit. Bëhet fjalë për një vlerësim të nxjerrë nga të dhënat e INSTAT dhe jo për një total të publikuar drejtpërdrejt nga institucioni. 

Duhet të theksojmë se në këtë kategori INSTAT përfshin pijet alkoolike të blera zakonisht për konsum në shtëpi, si verë, birrë, raki apo whisky, si edhe cigare, puro dhe produkte të tjera duhani. Konsumi në bare dhe restorante klasifikohet në një kategori tjetër. Duke marrë parasysh këtë fatura për “vese” mund të jetë edhe më e lartë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat