Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 17:17

Banka e Shqipërisë dhe BEI prezantuan draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër

Nga Scan TV

Banka e Shqipërisë dhe BEI prezantuan draftin përfundimtar

Më 8 tetor 2026, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve, prezantoi draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, në kuadër të Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbra. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve anëtare të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Taksonominë e Gjelbër, përfaqësuesve nga bankat tregtare, si dhe ekspertëve teknikë.

Taksonomia Kombëtare e Gjelbër përbën një hap të rëndësishëm në krijimin e një kuadri të qartë për identifikimin dhe klasifikimin e aktiviteteve ekonomike, në funksion të objektivave të qëndrueshmërisë dhe të tranzicionit drejt një ekonomie më të gjelbër. 

Në fjalën e saj, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, vlerësoi përfundimin e këtij procesi si një arritje të rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e asistencës teknike të ofruar nga Banka Evropiane e Investimeve dhe bashkëpunimin ndërinstitucional gjatë gjithë procesit të hartimit. “Taksonomia e Gjelbër – theksoi zj. Ahmetaj – duhet parë jo vetëm si një çështje reputacionale apo si shprehje e vullnetit për të mbështetur qëndrueshmërinë, por si një instrument që do të ndikojë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si kapitali do të orientohet drejt ekonomisë.”

Në këtë drejtim, ajo nënvizoi se ndryshimet klimatike dhe nevoja për të adresuar rreziqet që burojnë prej tyre kanë sjellë një forcim gradual të kuadrit rregullator ndërkombëtar dhe evropian. Për Shqipërinë, kësaj agjende i shtohet edhe procesi i integrimit evropian, i cili sjell kërkesa të reja për bizneset dhe institucionet financiare.

Një rëndësi të veçantë në këtë proces ka edhe sektori bankar, i cili do të duhet të përfshijë gjithnjë e më shumë konsideratat mjedisore dhe klimatike në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut. Sipas Zëvendësguvernatores, kjo do të sjellë një qasje të re ndaj kreditimit, ku vlerësimi i një aktiviteti ekonomik nuk do të mbështetet vetëm te rezultati financiar, por edhe te mënyra se si ky rezultat arrihet dhe ndikimi që aktiviteti ka në qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Në këtë kuadër, financa e gjelbër do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin gradual të mënyrës se si kapitali kanalizohet në ekonomi. Bankat do të duhet të përgatiten për këtë qasje të re, duke zhvilluar produkte financiare në përputhje me parimet e financës së gjelbër, ndërsa bizneset do të duhet të përshtatin modelet e tyre të biznesit dhe teknologjitë me kërkesat e reja të qëndrueshmërisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat