Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 13:44

Partneritet strategjik me Turqinë - Ministri Nufi, vizitë në Ankara. Pritet nga homologu Yaşar Güler

Nga Ledina Elezi

Partneritet strategjik me Turqinë - Ministri Nufi, vizitë në

Thellimi i partneritetit strategjik Shqipëri–Turqi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe orientimi i bashkëpunimit drejt projekteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë ishin në fokus të vizitës zyrtare të Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, në Turqi dhe takimit me homologun e tij, Yaşar Güler.

Gjatë takimit, Ministri Nufi nënvizoi se “Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar, të mbështetur në lidhje të forta historike dhe njerëzore, anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e mbrojtjes e sigurisë.”

Ai shprehu vlerësimin e Shqipërisë për kontributin e kahershëm të Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, duke cilësuar rëndësinë e një bashkëpunimi gjithnjë e më praktik.

“Për më shumë se 20 vjet, kadetë, oficerë dhe nënoficerë shqiptarë kanë ndjekur akademi dhe programe trajnimi në Turqi, duke e bërë arsimin dhe trajnimin një nga shtyllat më të qëndrueshme të marrëdhënies dypalëshe në mbrojtje. Bashkëpunimi do të vijojë të fokusohet në modernizimin e FARSH, zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë, në përputhje me standardet dhe objektivat e NATO-s,” është shprehur Nufi. 

Në fokus të bashkëbisedimit ishte gjithashtu edhe zgjerimi i bashkëpunimit me kompanitë turke përmes investimeve në Shqipëri dhe ndërmarrjeve të përbashkëta.

“Shqipëria sheh potencial për transferim të përshtatshëm të teknologjisë dhe zhvillim të kapaciteteve vendase, duke krijuar mundësi të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes,” theksoi ministri Nufi. 

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi tha gjithashtu se Shqipëria vlerëson kontributin e Turqisë në KFOR dhe mbështetjen për kontingjentin shqiptar në EUFOR ALTHEA, ndërsa të dyja vendet vijojnë angazhimin për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik. 

Dy ministrat e mbrojtjes ndanë bindjen se dy vendet tona duhet të intensifikojnë përpjekjet për rritjen e bashkëpunimit të konsoliduar në mbrojtje drejt një programi më të strukturuar bashkëpunimi praktik, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat