Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 12:13

A do të shtrenjtohen kreditë? Inflacioni “vë në provë” normat e interesit. Rrezikohet rritja e të dyjave

Nga Ledina Elezi

A do të shtrenjtohen kreditë? Inflacioni “vë në

Banka e Shqipërisë vijon të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Që prej korrikut të vitit të kaluar, Banka jonë Qendrore e ka mbajtur normën bazë në nivelin 2.5%. 

Nga norma bazë ndikohen të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijohen kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime, të balancuar në një nivel që prodhon çmime të cilat ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të Bankës prej 3%.

Norma bazë e interesit lëvizet për të mbajtur nën kontroll inflacionin, pra rritjen e çmimeve, nxitur aktivitetin ekonomik dhe të tjera. Kur norma e interesit ngrihet, investimet bëhen më të kushtueshme dhe vlera e kursimit rritet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po tejnxehet - kur ajo po ecën me ritme më të shpejta se ato të ekuilibrit. Kur Banka e ul normën e interesit, shpenzimet nxiten, pasi normat e interesit për depozita dhe kredi ulen, duke nxitur investimet dhe shpenzimet. 

Duke marrë parasysh normën e inflacionit, e cila e kaloi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në muajin korrik dhe gusht, teksa pritet të ketë ulje-ngritje të tjera në vijim, Banka mund të ndërhyjë duke rritur normën bazë të interesit, që do të sillte si pasojë rritjen e interesave të kredive, familjet dhe bizneset do të marrin më pak kredi, e për rrjedhojë priten më pak investime dhe shpenzime, gjë që krijon presion mbi çmimet. Nisur edhe nga deklarata e fundit e Guvernatorit Sejko, këto parashikime, si dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi inflacionin, forcojnë premisat për një lëvizje në kahun normalizues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. 

Nga 2020 deri në 2026, normat bazë më të larta janë regjistruar në 2024, duke kapur nivelin prej 3.25%. Normat bazë më të ulëta të interesit rezultojnë në vitin 2020 dhe 2021, të cilat zbresin në nivele prej 0.5%. Kjo e ka bërë kredimarrjen shumë më të lirë për qytetarët në atë periudhë.

Një normë bazë interesi më e ulët shoqërohet me interesa më të ulëta për kreditë. Kjo do të thotë se qytetarët mund të marrin kredi me norma më të favorshme interesi. Megjithatë, normat bazë më të ulëta ndikojnë negativisht depozitat, pasi nënkupton se qytetarët do të marrin kthime më të ulëta nga kursimet e tyre në bankë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat