Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 14:43

Korridori VIII kalon në zbatim - Hoxha: Shqipëria po e kthen vizionin e korridorit në realitet

Nga Edel Strazimiri

Korridori VIII kalon në zbatim - Hoxha: Shqipëria po e kthen vizionin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Sofje se Shqipëria ka kaluar nga angazhimi politik në fazën e zbatimit konkret të Korridorit VIII.

Hoxha mori pjesë në Konferencën për Korridorin VIII, organizuar nga Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, pas takimit ministror të zhvilluar në Tiranë në shkurt, ku u përcaktua një vizion i përbashkët politik për projektin.

Sipas Hoxhës, objektivi është krijimi i një korridori të vetëm dhe funksional, dhe jo një grup projektesh kombëtare të shkëputura.

“Suksesi i Korridorit VIII nuk do të matet me deklarata, por me zbatimin”, deklaroi ministri, duke shtuar se Shqipëria tashmë ka kaluar në fazën e zbatimit.

Korridori VIII lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe, sipas qeverisë shqiptare, ka rëndësi jo vetëm për transportin, por edhe për tregtinë, energjinë dhe sigurinë rajonale.

Hoxha theksoi se përmirësimi i lidhjeve do të sillte më shumë tregti, kosto më të ulëta transporti, investime dhe konkurrueshmëri më të lartë. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës me përdorim të dyfishtë dhe të koordinimit më të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s për lëvizshmërinë ushtarake.

Ministri kërkoi një listë të qartë projektesh prioritare, afate realiste dhe një mekanizëm të qëndrueshëm për monitorimin e zbatimit.

“Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin VIII nga vizion në realitet”, u shpreh Hoxha në konferencën e Sofjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat