Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 11:04

Çfarë parashikon buxheti 2027? - Detajet/3-6 mijë euro për bebet. Mbështetja për pensionistët. A lëvizin pagat?

Nga Elisabeta Dosku

Çfarë parashikon buxheti 2027? - Detajet/3-6 mijë euro për

Buxheti i shtetit për vitin 2027 parashikohet të jetë mbi 1.1 miliardë euro më i lartë se buxheti fillestar që u planifikua për këtë vit, duke kapërcyer kështu pragun e 10 miliardë eurove. Kjo rritje vjen si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të të ardhurave tatimore dhe doganore si dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Qeveria ka hartuar draftin paraprak të ligjit më të rëndësishëm të shtetit, dhe ashtu si edhe si këtë vit, prioritet do të jetë shëndetësia dhe mbrojtja sociale, ku do të akordohen afro 89.3 miliardë lekë, apo 973 milionë euro nga 942 milionë euro që u dhanë gjatë vitit 2026. 

Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit do të vazhdojë të jepet për infrastrukturën dhe punët publike, duke financuar vijimin e projekteve të rëndësishme të nisura dhe që janë në proces edhe gjatë këtij viti, siç është financimi i lotit III për bypassin e Tiranës, ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë - Elbasan me korridorin VIII, vijimi i financimit për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, etj.

Një peshë të rëndësishme në buxhet zë edhe Ministri a Mbrojtjes, me një buxhet total prej rreth 834 milionë euro me një kapërcim prej 80 milionë euro në raport me këtë vit, duke arritur në 2.35% të PBB,  ku pjesa më e madhe shkon për forcat e luftimit dhe në përmbushje të detyrimit që ka Shqipëria në kuadër të NATO-s. 

Sa i takon politikave fiskale, projekt buxheti parashikon ndërhyrje në disa pika që kryesisht nuk lidhen me biznesin.

Konkretisht vëmendje do ti jepet mbështetjes së shtresave në nevojë, ku parashikohet dyfishim i pagesave për fëmijët me aftësi ndryshe si dhe shteti do të marrë përsipër pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët të fëmijëve. 

Po ashtu pas disa vitesh aplikim, që nga 2019, do të rishikohet për herë të parë skema e bonusit të bebeve, duke ofruar mbështetje mujore dhe të shtrirë në kohë për fëmijët e ardhur në jetë, më qëllim ofrimin e një sigurie më të lartë ekonomike për nënat  e reja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat