Rajoni Postuar më 8 October 2026, 10:05

Korridor i ri gazi në Ballkan - Greqia, RMV dhe Serbia zgjerojnë “Vertical Gas Corridor”

Nga SCAN TV

Korridor i ri gazi në Ballkan - Greqia, RMV dhe Serbia zgjerojnë

Harta e furnizimit me gaz në Ballkan po zgjerohet me një aks të ri jug-veri. Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë zyrtarisht, përmes operatorëve të tyre të transmetimit, në të ashtuquajturin Vertical Gas Corridor, një sistem që kombinon rrjetet ekzistuese me interkonjektorë të rinj për të mundësuar transportin e gazit nga Greqia drejt Europës Juglindore dhe Qendrore. Konfirmimi erdhi pas takimit të 6 tetorit në Beograd mes ministrave të energjisë të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Katër vendet riafirmuan angazhimin për zhvillimin e korridorit dhe hapjen e rrugëve të reja të furnizimit me gaz.

Hallka e parë e rëndësishme është interkonjektori Greqi–Maqedoni e Veriut, i cili është aktualisht në ndërtim.  Gazsjellësi do të ketë një gjatësi totale prej rreth 123 kilometrash, nga të cilat rreth 66 deri në 68 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut. Kapaciteti fillestar parashikohet në 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, me mundësi zgjerimi deri në 3 miliardë metra kub.

Sipas njoftimit zyrtar të Beogradit, segmenti grek pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa ai në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2027.

Por rrjeti nuk do të ndalet në Shkup. Po përgatitet edhe interkonjektori Maqedoni e Veriut–Serbi, i cili do të lidhet me gazsjellësin që vjen nga Greqia.

NOMAGAS ka nënshkruar tashmë kontratën prej 29.4 milionë eurosh për projektimin dhe ndërtimin e segmentit maqedonas. Ai do të jetë 22.4 kilometra i gjatë, nga Kleçovca deri në kufirin me Serbinë, dhe do të ketë kapacitet teknik deri në 160 mijë metra kub gaz në orë.

Interkonjektori është projektuar për të lejuar rrjedhjen e gazit në të dy drejtimet, ndërsa përfundimi i plotë i projektit në anën maqedonase planifikohet deri në tremujorin e katërt të vitit 2028.

Në Serbi, tubat e parë për interkonjektorin janë dorëzuar dhe, sipas qeverisë serbe, vendosja e tyre pritet të nisë së shpejti. Kur dy lidhjet të funksionojnë së bashku, krijohet praktikisht një rrugë e re: Greqi – Maqedoni e Veriut – Serbi.

Një nga burimet e furnizimit do të jetë LNG-ja që hyn në Greqi përmes terminalit të Aleksandroupolis. Qeveria serbe deklaron se lidhja e re do të hapë një rrugë shtesë për gazin e lëngshëm nga ky terminal, krahas korridoreve ekzistuese të furnizimit përmes Bullgarisë. 

Greqia, ndërkohë, synon të rrisë kapacitetin e eksportit të gazit drejt veriut në rreth 9.5 miliardë metra kub deri në vitin 2027, duke përdorur interkonjektorët dhe infrastrukturën e saj LNG.

Projekti ka edhe një dimension afatgjatë. Ministrat kanë kërkuar që infrastruktura e re të projektohet duke marrë parasysh mundësinë që në të ardhmen të përdoret edhe për transportin e hidrogjenit.

Korridori Vertikal nuk është një gazsjellës i vetëm, por një rrjet lidhjesh kombëtare dhe ndërkufitare. Zgjerimi drejt Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut synon t'i japë rajonit më shumë hyrje alternative për gazin dhe të reduktojë varësinë nga një rrugë e vetme furnizimi. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat