Europa Postuar më 8 October 2026, 10:03

BE legalizon “return hubs” - Modeli Itali–Shqipëri hyn në një epokë të re

Nga SCAN TV

BE legalizon “return hubs” - Modeli Itali–Shqipëri hyn

Bashkimi Europian i hap rrugën një modeli të ri për menaxhimin e emigracionit të parregullt. Këshilli i BE-së ka dhënë miratimin përfundimtar për rregullat e reja të kthimit, të cilat lejojnë shtetet anëtare të krijojnë të ashtuquajturat “return hubs”, ose qendra kthimi, në vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Në këto qendra mund të transferohen persona që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar në BE dhe ndaj të cilëve është marrë një vendim kthimi. Sipas Këshillit, problemi që synohet të adresohet është i konsiderueshëm: rreth dy në tre persona që marrin urdhër për t'u larguar nga Bashkimi Europian, në praktikë nuk largohen.

Për ngritjen e qendrave jashtë BE-së do të kërkohet një marrëveshje me vendin e tretë pritës. Ky vend duhet të respektojë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe parimin e moskthimit të personave drejt vendeve ku mund të përballen me persekutim ose rrezik serioz. Të miturit e pashoqëruar përjashtohen nga ky mekanizëm.

Rregullat e reja krijojnë gjithashtu një “Urdhër Europian Kthimi”, që synon të standardizojë vendimet e kthimit në të gjithë Unionin dhe të lehtësojë njohjen e tyre nga shtetet e tjera anëtare.

Në fazën e parë, njohja reciproke e këtyre vendimeve do të mbetet vullnetare. Megjithatë, pas tre vitesh, Komisioni Europian mund të propozojë që ajo të bëhet e detyrueshme.

Masat bëhen më të forta për personat që konsiderohen rrezik për sigurinë, për të cilët mund të vendosen ndalime hyrjeje pa afat dhe periudha ndalimi që kalojnë 24 muaj.

Për Shqipërinë, vendimi merr një dimension të veçantë.

Marrëveshja Itali–Shqipëri për qendrat e emigrantëve ishte deri tani një projekt bilateral dhe një nga eksperimentet më të debatueshme europiane për zhvendosjen e procedurave të migracionit jashtë territorit të BE-së.

Me rregullat e reja, koncepti i qendrave jashtë Unionit nuk mbetet më vetëm një eksperiment mes dy vendeve, por hyn zyrtarisht në instrumentet që mund të përdorin edhe shtetet e tjera anëtare. Kjo nuk do të thotë se modeli Itali–Shqipëri bëhet automatikisht model europian. Por Bashkimi Europian tashmë ka krijuar bazën ligjore që marrëveshje të ngjashme me vende të treta të përdoren si pjesë e politikës së përbashkët për kthimin e emigrantëve të parregullt. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat