Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 18:34

Koman–Pukë–Fushë Arrëz, ARRSH projekton rehabilitimin së shpejti të aksit 55 km 

Nga Scan TV

Koman–Pukë–Fushë Arrëz, ARRSH projekton rehabilitimin

Një aks i rëndësishëm rrugor në veri hyn në fazën e projektimit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën për Kryqëzimi Koman–Pukë–Fushë Arrëz, një rrugë rreth 55 kilometra e gjatë, që lidh zonën e Komanit me Pukën dhe Fushë Arrëzin. Dokumentet tregojnë se gjendja e rrugës ndryshon ndjeshëm nga një segment në tjetrin. Pjesa Koman–Pukë, rreth 34.5 kilometra, ka një gjerësi asfalti prej rreth 6 metrash dhe, sipas Termave të Referencës, shtresat asfaltike janë në gjendje shumë të mirë. Përgjatë kësaj pjese ndodhen mure mbajtëse, tombino dhe disa ura.   

Ndryshe paraqitet situata nga Puka drejt Fushë Arrëzit. Ky segment është rreth 20.5 kilometra dhe ARRSH evidenton se pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij shtresat asfaltike janë të dëmtuara, me rrjetëzime të theksuara. Kjo e bën pikërisht këtë pjesë një nga ndërhyrjet kryesore që pritet të përcaktojë projekti i ri. Një tjetër element i rëndësishëm janë urat. Në segmentin Koman–Pukë ndodhet edhe Ura e Gomsiqes, rreth 120 metra e gjatë, por me vetëm 5 metra gjerësi të asfaltuar. Përgjatë aksit ka gjithashtu ura me hark, ura të vogla box, mure mbajtëse dhe struktura drenazhimi që do të inventarizohen dhe vlerësohen teknikisht. 

Projekti nuk kufizohet vetëm te asfaltimi. Termat e Referencës kërkojnë trajtimin e zonave me rrëshqitje, erozion, rënie gurësh, skarpate të paqëndrueshme, si edhe përmirësimin e drenazhimit, sinjalistikës, barrierave mbrojtëse dhe elementëve të tjerë të sigurisë rrugore. Aksi do të projektohet sipas standardit F2 të rregullave teknike të projektimit të rrugëve. Në përfundim, projekti do të përcaktojë ndërhyrjet konkrete për rehabilitimin dhe rritjen e sigurisë së një aksi që lidh Pukën dhe Fushë Arrëzin me zonën e Komanit dhe rrjetin rrugor të veriut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat