Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 18:17

Politika monetare, Sejko: Prania e rreziqeve forcon premisat e një reagimi në kahun shtrëngues

Nga Scan TV

Politika monetare, Sejko: Prania e rreziqeve forcon premisat e një reagimi

Edhe pse Këshilli Mbikqyrës nuk e ndryshoiu normën bazë të interesit, guvernatori Gent Sejko nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë së shpejti. Sipas tij “prania e rreziqeve i forcon premisat për një reagim në kahun shtrëngues”. Në komunikimin mujor me mediat Guvernatori Sejko mes të tjerave tha: Informacioni i ri i përftuar gjatë dy muajve të fundit sugjeron se presionet mbi inflacionin kanë ardhur në rritje, në përgjigje të rritjes së çmimeve në tregjet botërore dhe të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend solid rritjeje, ndërsa tregjet financiare janë të qeta dhe kredia për ekonominë ka shënuar rritje të shpejtë. Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka dhënë një kontribut pozitiv në këtë ecuri, duke mundësuar si krijimin e një ambienti financiar akomodues për rritjen ekonomike, ashtu edhe kontrollin e pritjeve për inflacionin në të ardhmen. Përditësimi i parashikimeve tregon se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Më pas, duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale drejt objektivit. Nga ana tjetër, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, duke pasqyruar bazat solide të rritjes dhe ambientin stimulues financiar”.

Pasi bëri një pasqyrë të detajuar të zhvillimeve monetare dhe ekonomike në vend guvernatori njoftoi edhe vendimarrjen e radhës së Këshillit Mbikqyrës të BSH. Sejko tha:  

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, si dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit.

Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen, duke i kushtëzuar lëvizjet e ardhshme të politikës monetare nga informacioni i ri mbi inflacionin, nga balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste, si dhe duke konsideruar kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat