Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 13:19

Hekurudha, më shumë kontrata - Verdho: 25 nënkontraktorë në Tiranë-Durrës-Rinas, mundësi të reja nga projektet e tjera

Nga Ola Mitre

Hekurudha, më shumë kontrata - Verdho: 25 nënkontraktorë

Projektet për modernizimin e hekurudhave në Shqipëri pritet të krijojnë mundësi për përfshirjen e shumë kompanive, përmes kontraktimit dhe nënkontraktimit të punimeve.

Në Forumin e Konektivitetit të Tiranës, kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, solli si shembull linjën Tiranë –Durrës – Rinas, ku krahas kontraktuesit kryesor janë angazhuar 25 nënkontraktorë. Sipas tij, projektet e tjera, me një shtrirje më të madhe, hapin mundësi për zgjerimin e këtij bashkëpunimi mes bizneseve.

“Kemi, për shembull, linjën Tiranë–Durrës–Rinas, ku kemi një kontraktues dhe 25 nënkontraktues, të cilët bashkëpunojnë për këtë qëllim. Ne, si autoritet, nënshkruajmë kontratën me kontraktuesin dhe pastaj nënkontraktuesit bashkëpunojnë drejtpërdrejt me të. Nëse linja Tiranë – Durrës – Rinas ka 25 nënkontraktues, që është rreth 22 km, për Vorë – Hani i Hotit mund të kemi një përpjesëtim të drejtë me numrin e kilometrave”, - tha Verdho.

Një nga investimet më të mëdha është rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës Vorë – Hani i Hotit, me gjatësi rreth 120 km, që lidh rrjetin shqiptar me Malin e Zi. Ndërkohë, projekti Durrës – Rrogozhinë parashikon rehabilitimin dhe elektrifikimin e rreth 34 km hekurudhë, përfshirë rikonstruksionin e godinave të stacioneve.  Ndërkaq, për linjën Tiranë – Durrës – Rinas, Verdho deklaroi se ndërtimi dhe stacionet pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti. Hapi i mëtejshëm është elektrifikimi, për të cilin nënshkrimi i kontratës lidhet me përfundimin e tenderit dhe marrjen e miratimit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Jemi të hapur me BERZH-in për të ecur përpara me elektrifikimin, në momentin që do të përfundojë tenderi, pra të marrim nga BERZH-i atë ‘no objection’, për të nënshkruar kontratën”, - tha Verdho.

Pjesë e panelit ishin edhe Adrijana Uglik, përfaqësuese e Infrastrukturës Hekurudhore të Malit të Zi, Irene Di Tria nga rajoni i Pulias dhe Gaspare Toçi nga rajoni i Molizes. Paneli iu kushtua investimeve në infrastrukturë, përparimit në përmbushjen e kërkesave të kapitullit 21 dhe lidhjes me rrjetin transevropian të transportit, si edhe sfidave që shoqërojnë kalimin e projekteve ndërkufitare nga planifikimi në zbatim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat