Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 11:51

Hekurudha, me standarde të BE - Muçaj: Nevojitet ngritja e kapaciteteve. Manjani: Korridori VIII, mundësi për bizneset

Nga Ola Mitre

Hekurudha, me standarde të BE - Muçaj: Nevojitet ngritja e

Përparimi i projekteve hekurudhore në Shqipëri dhe lidhja e tyre me rrjetet evropiane kërkojnë edhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve që do të zbatojnë standardet e reja. Në Forumin e Konektivitetit të Tiranës, Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj theksoi nevojën për një qasje të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që sistemet hekurudhore të funksionojnë sipas standardeve të harmonizuara. Në këtë proces, ajo kërkoi edhe mbështetjen e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Hekurudhat.

“Është e rëndësishme që të gjithë bashkë, në një qasje të koordinuar, t’i ngremë këto kapacitete, në mënyrë që të kemi standarde të interoperabilitetit të harmonizuara midis të gjitha vendeve. Besoj se institucione të tilla si Agjencia e Bashkimit Evropian për Hekurudhat duhet të përfshihen dhe duhet të bëjmë më të mirën për të siguruar mbështetjen e saj, me qëllim që këto standarde të harmonizohen dhe të përvetësohen në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë”, - tha Enkelejda Muçaj, zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

Përveç përgatitjes së institucioneve, zhvillimi i korridoreve të transportit hap mundësi edhe për bizneset. Për Korridorin VIII, diskutimi u përqendrua te ndërlidhja e kompanive dhe mundësitë që nënkontraktorët të përfitojnë nga projektet. Zv. ministrja e Ekonomisë, Turizmit dhe Inovacionit Ornela Manjani tha se do të kontaktojë ekipet e Komisionit Evropian për të nxitur këtë bashkëpunim, duke propozuar edhe një aktivitet paraprak kushtuar kapitullit 21 të negociatave, që mbulon rrjetet transevropiane.

 “Do të hyj në kontakt me ekipet e Komisionit të BE-së, sepse qëllimi është që njerëzit të bëhen bashkë, të shprehin idetë dhe të shfrytëzojnë mundësitë. Ndërlidhja e bizneseve në Korridorin VIII është një gjë shumë e mirë për t’u theksuar. Po organizojmë edhe aktivitete paraprake përpara konferencës dhe ndoshta mund të kemi një të tillë për kapitullin 21, ku të flasim për këtë çështje. Kjo do të ishte shumë e mirë edhe për benchmark-et e kapitullit 21”, - tha Manjani. 

Dita e dytë iu kushtua ndërlidhjes, me fokus zhvillimet hekurudhore në zonën e Adriatikut Jugor dhe përfshirjen e rajonit në rrjetin transevropian të transportit, TEN-T. Diskutimet trajtuan lidhjen mes përparimit të negociatave, zbatimit të standardeve evropiane dhe mundësive të reja ekonomike që krijojnë këto investime.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat