Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 11:19

Partneritet për inovacionin - Italia dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin për startup-et

Nga Fabjona Pasho

Partneritet për inovacionin - Italia dhe Shqipëria forcojnë

Një inkubator italo-shqiptar për startup-et synohet të ngrihet në Shqipëri, për të mbështetur zhvillimin e sipërmarrjeve inovative dhe lidhjen e tyre me investitorët. Drejtori i Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë, Matteo Picariello, thotë se po zhvillohen diskutime me partnerë në të dy vendet për realizimin dhe bashkëfinancimin e kësaj nisme.

“Kemi sjellë këtu fonde kapitali sipërmarrës, po sjellim shumë aktorë me idenë për të zhvilluar partneritete dhe për t’i bërë ata të ndihmojnë Shqipërinë të rrisë ekosistemin e saj, si dhe për të marrë disa njohuri e ide për t’u rritur në Ballkan përmes Shqipërisë si një nyje edhe për të gjitha vendet fqinje. Mendoj se ka shumë talent në Shqipëri dhe mendoj se Shqipëria ka të njëjtin lloj problemi që ka edhe Italia. Kemi shumë studentë të rinj italianë që transferohen jashtë vendit dhe kërkojnë mundësi më të mira. Mendoj se zhvillimi i një ekosistemi të duhur startup-esh është thelbësor për t’i mbajtur të rinjtë këtu dhe për të zhvilluar inovacionin në vendin tonë. Kështu që shohim shumë potencial të përbashkët. Qëllimi ynë afatgjatë është të ngremë një akselerator apo inkubator të plotë italo-shqiptar këtu. Shpresojmë të jemi në gjendje ta bashkëfinancojmë këtë program. Kështu që shpresojmë që brenda një viti të jemi në gjendje t’ju sjellim disa lajme të mira.”

Ambasadori italian, Marco Alberti, thekson se konkurrueshmëria e ekonomisë varet edhe nga shpejtësia me të cilën sipërmarrjet i kthejnë idetë në zgjidhje konkrete.

“Nuk ka progres, nuk ka prosperitet pa konkurrueshmëri. Por nuk ka konkurrueshmëri pa inovacion. Kjo është lidhja te e cila duhet të përqendrohemi, para së gjithash. Inovacioni është i nevojshëm, por nuk është i mjaftueshëm. Çështja sot është të jesh në gjendje të ndjekësh risitë. Dhe startup-et janë mjeti që i transformon idetë në zgjidhje të botës reale, shpejt. Shpejtësia është valuta e re sot. Është shumë e ndërlikuar të jesh konkurrues nëse nuk je inovator. Ajo që një qeveri mund të ofrojë konkretisht është pikërisht mbështetja për ekosistemin. Sepse është jashtëzakonisht e vështirë për një startup të lulëzojë i vetëm. Përgjegjësia dhe detyra që mund t’i vendosim vetes kur flasim për startup-et është ndihma në konsolidimin e një ekosistemi i cili është inovativ.”

Deklaratat u bënë gjatë konferencës “Bashkëpunimi Itali–Shqipëri për Inovacionin”, të zhvilluar në Tiranë nga Agjencia Italiane e Tregtisë, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe StartUp Albania. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve, investitorë dhe sipërmarrës nga të dy vendet, me fokus partneritetet, financimin e startup-eve dhe zhvillimin teknologjik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat