Analiza Postuar më 7 October 2026, 10:28

Sa kushton një muaj jetesë? Familjet me fëmijë përballen me 27 mijë lekë më shumë

Nga Xhorxhina Deda

Sa kushton një muaj jetesë? Familjet me fëmijë

Sa kushton një muaj jetese për një familje në Shqipëri? Përgjigjja ndryshon ndjeshëm në varësi të numrit të anëtarëve dhe pranisë së fëmijëve.

Sipas Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare, në vitin 2025 shpenzimet mesatare mujore për konsum arritën në 95,227 lekë, nga 93,042 lekë një vit më parë. Pra, një familje shpenzoi mesatarisht 2,185 lekë më shumë në muaj, ose rreth 2.3% më shumë se në 2024.

Por mesatarja nuk tregon të gjithë historinë.

Në skajin më të ulët janë personat që jetojnë vetëm, me një shpenzim mesatar prej rreth 58 mijë lekësh në muaj. Në anën tjetër, një familje me tre ose më shumë të rritur dhe me fëmijë shpenzon afërsisht 121 lekë, pra më shumë se dyfishi.

Sipas të dhënave, prania e fëmijëve e rrit dukshëm faturën. Një person i vetëm me fëmijë në varësi shpenzon mesatarisht 83,576 lekë në muaj, rreth 25,700 lekë më shumë se një person që jeton vetëm. Edhe mes çifteve diferenca është e forte, dy të rritur pa fëmijë shpenzojnë 80,757 lekë, ndërsa me fëmijë arrijnë në 108,184 lekë, ose mbi 27 mijë lekë më shumë çdo muaj.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se rritja nuk ka qenë e njëjtë për të gjitha familjet. Goditjen më të fortë e kanë pasur familjet e mëdha me fëmijë, ku shpenzimet u rritën me 4.6% brenda një viti. Pas tyre vijnë familjet me një prind dhe fëmijë në varësi, me një rritje prej rreth 4.1%.

Një tjetër dallim interesant vërehet kur familjet analizohen sipas nivelit arsimor të kryefamiljarit. Rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore gjatë vitit 2025 e regjistruan familjet ku kryefamiljari nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor.

Sipas INSTAT, këto familje shpenzuan mesatarisht 66,112 lekë në muaj, rreth 3.28% më shumë se në vitin 2024. Ky është ritmi më i lartë i rritjes mes kategorive sipas nivelit arsimor dhe tejkalon edhe rritjen mesatare prej rreth 2.35% të shpenzimeve të familjeve në tërësi.

Pra, ndonëse niveli absolut i shpenzimeve mbetet më i ulët se te familjet me kryefamiljarë më të arsimuar, rritja brenda një viti ka qenë më e fortë pikërisht në këtë kategori.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat