Shqipëria Postuar më 6 October 2026, 18:02

Plani i ri Europian për Zgjerimin, Kos: Integrim gradual, financime nga instrumenti "Global Europe"

Nga Scan TV

Plani i ri Europian për Zgjerimin, Kos: Integrim gradual, financime nga

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi këtë të martë në Strasburg paketën e re të Komisionit Europian për përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin e ardhshëm, duke e cilësuar atë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si BE-ja do të funksionojë me anëtarët e rinj.

Një nga ndryshimet kryesore që propozon Komisioni Europian lidhet me mënyrën se si merren vendimet për zgjerimin. Komisioni propozon që një pjesë e këtyre vendimeve të mos merren më me unanimitet, por me shumicë të cilësuar, aty ku traktatet e Bashkimit Europian e lejojnë. Një tjetër pjesë e rëndësishme e planit lidhet me mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Komisioni propozon që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përfshijnë mekanizma më të fortë për rastet kur një vend, pasi bëhet anëtar, nuk respekton më angazhimet e marra gjatë negociatave.

Një nga risitë më të mëdha të paketës është integrimi gradual. Komisioni propozon që vendet kandidate të mos presin anëtarësimin për të përfituar nga Bashkimi Europian, por të marrin pjesë gradualisht në politika dhe programe europiane, sapo të përmbushin kushtet.

Sipas dokumentit, kjo do të lejojë që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në Tregun e Përbashkët Europian, në sektorët e energjisë, transportit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe në programe si Erasmus+, Horizon Europe dhe Creative Europe.

Paketa parashikon gjithashtu pjesëmarrje më të gjerë në sistemin europian të pagesave SEPA, zgjerimin e marrëveshjeve për roaming, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe pjesëmarrjen si vëzhgues në agjenci dhe grupe ekspertësh të Bashkimit Europian.

Komisioni analizon gjithashtu ndikimin që zgjerimi do të ketë në politikat e Bashkimit Europian, nga tregu i përbashkët dhe energjia te transporti, bujqësia, mbrojtja, drejtësia dhe administrata publike. Sipas dokumentit, zgjerimi do të kërkojë kapacitete më të mëdha administrative si nga vendet kandidate, ashtu edhe nga vetë institucionet europiane.

Një kapitull i veçantë i kushtohet buxhetit. Komisioni vlerëson se kuadri financiar shumëvjeçar 2028-2034 mund të përballojë pranimin e anëtarëve të rinj. Para anëtarësimit, vendet kandidate do të vazhdojnë të financohen përmes instrumentit "Global Europe", ndërsa pas hyrjes në BE do të kalojnë te fondet e plota të Bashkimit Europian për kohezionin, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.

Për Shqipërinë, paketa sjell dy zhvillime konkrete. Së pari, Komisioni do të paraqesë në paketën e zgjerimit të vitit 2026 një udhërrëfyes orientues ("roadmap"), që do të përcaktojë prioritetet dhe hapat e mëtejshëm të negociatave, nëse vendi vazhdon me ritmin e reformave. Së dyti, Shqipëria mund të fillojë të integrohet gradualisht në një sërë politikash dhe programesh europiane edhe përpara anëtarësimit të plotë, nëse plotëson kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Komisioni thekson se zgjerimi do të vazhdojë të bazohet në meritë dhe se asnjë vend nuk do të anëtarësohet pa përmbushur kriteret.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat