Shqipëria Postuar më 6 October 2026, 13:14

30 vite shtesë për Vaun e Dejës - Investimet në energji, 82.39 mln euro për rehabilitimin e hidrocentralit dhe konviktet

Nga Ola Mitre

30 vite shtesë për Vaun e Dejës - Investimet në energji,

Rehabilitimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe rinovimi i konvikteve universitare me eficiencë energjie kanë hyrë në diskutim në komisionet parlamentare.

Dy projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit financiar me qeverinë gjermane parashikojnë në total 82.39 mln euro financim, në formën e kredive të buta dhe granteve. Pjesa më e madhe e fondeve lidhet me programin “Klima në Shqipëri II”, që përfshin një kredi të butë 60 mln euro nga banka gjermane KfW dhe një grant 2 mln euro. Financimi do të përdoret për rehabilitimin e HEC-it të Vaut të Dejës dhe pjesërisht për digjitalizimin e rrjetit të transmetimit. 

“Zgjatet jetëgjatësia, pra shkojmë me zgjatje të jetëgjatësisë të këtij impianti shumë të rëndësishëm të prodhimit të energjisë, përkatësisht me të paktën 30 vite të tjerë. Realizojmë gjithashtu rritjen e prodhimit me 74 GWh në vit, falë përmirësimit pra të eficiencës me 7% të kalkuluar deri më tani, shmangien e humbjes në rrjet me 156 GWh në vit, që në qoftë se nuk do të ndodhte do të mund të na detyronte të kishim importe për të njëjtën sasi në vit, pra kemi një fitim për shkak të reduktimit të humbjeve në rrjet dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serë me 135,000 ton dioksid karboni në vit”, - tha zv.ministrja e Infrastruktrës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj. 

Marrëveshja tjetër që po shqyrtohet parashikon një grant prej 20.39 mln euro për fazën e 5-të të programit të rinovimit të konvikteve të universiteteve publike sipas parimeve të eficiencës së energjisë. 

“Ky projekt në mënyrë të qartë vjen në vijim të kësaj marrëveshje, të gjashtë marrëveshjeve më të hershme, këtë partneritet të rëndësishëm, nëpërmjet të cilës financimi ka arritur në 35.4 mln euro e kombinuar në vetvete me 6.85 mln euro grant. Duke realizuar në këtë kuptim katër fazat më parëshme dhe ndërkohë jemi në fazën e pestë të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të rehabilitojnë 14 godina dhe të 3 konvikteve të reja sipas standardeve më të mira për eficiencën e energjisë elektrike, pra dhe për eficiencën në konvikte”, - tha Muçaj.

Dy marrëveshjet janë pjesë e një pakete më të gjerë bashkëpunimi financiar me Gjermaninë, me vlerë mbi 114 mln euro. Paketa përfshin edhe një marrëveshje prej 32 mln eurosh për digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, për të cilën është depozituar një projektligj më vete në Kuvend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat