Shqipëria Postuar më 6 October 2026, 12:17

Mish Brazili i kontaminuar? - Salla: Gjetëm problematika. Gati plani për stabilimentet e qumështit

Nga Elisabeta Dosku

Mish Brazili i kontaminuar? - Salla: Gjetëm problematika. Gati plani

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer mbi 68 mijë inspektime gjatë këtij viti me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore si dhe ka orientuar kontrollet në bazë risku.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Bujqësisë, Ministri Andis Salla theksoi se po aplikohet një qasje gjithëpërfshirëse sa i takon sigurisë ushqimore, ndërsa u ndal edhe tek ndalimi i importit të mishit të gjedhit nga Brazili nga data 3 shtator, duke përmendur se çfarë ka ndodhur me dy raste që janë konstatuar me problematika. 

“Gjatë 2026, AKU ka kryer mbi 68 mijë kontrolle zyrtare.  Kemi ndërhyrë ne tregtimin e ushqimeve të pas sigurta, produktet pa etiketa.  Po aplikojmë kontrollet pa risk. Për ushqimin në shkolla ky kujdes është  i veçantë.  Një produkt i importuar nuk bëhet i sigurt vetëm sepse kaloi kufirin, por ndiqet dhe në treg. Në zbatim të planit të monitorimit të mbetjeve për produktet shtazore të importuara nga vende të treta, gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra; 30 prej tyre ishin produkte nga Brazili, përkatësisht 22 mostra mishi pule dhe 8 mostra mishi derri. Në dy raste të mishit të pulës nga Brazili gjatë periudhës janar–gusht janë konstatuar mbetje substancash veterinare. Në njërin rast, sasia ishte e bllokuar dhe e izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit; të dhënat e kontrollit tregojnë se ajo nuk kishte dalë në treg.  U njoftuan sistemet RASFF dhe INFOSAN dhe produkti u kthye në vendin e origjinës. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit; u kërkua gjurmimi dhe njoftimi i klientëve dhe u morën masat administrative përkatëse. Këto dy raste tregojnë pse bllokimi para shpërndarjes dhe dokumentimi i çdo hallke të furnizimit janë vendimtarë.Për importet nga Brazili, nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Për këto kategori nuk lejohen importet në kushtet e reja të listimit, pikat e kontrollit dhe subjektet importuese janë njoftuar. Zbatimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, i dokumentuar dhe i shoqëruar me kontrollet që kërkon çdo ngarkesë. Gjithashtu lidhur me ceshtjen e mishit te derrit janë marrë komunikime me palën e Brazilit lidhur me rishikimin e marrdhënieve tregtare.  Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit.” 

Ministri u ndal edhe tek kategorizimi i stabilimenteve të qumështit në vend, ku theksoi se deri në Dhjetor do të jetë gati programi kombëtar për përmirësimin e standardeve të tyre. 

“Gjatë vitit 2026, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim, janë vlerësuar 696; 208 rezultuan të mbyllura, të pezulluara, në rikonstruksion ose të çregjistruara. Nga stabilimentet e vlerësuara, 19 u renditën në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV. Këto të dhëna na japin një pasqyrë konkrete të gjendjes dhe na lejojnë t’i themi çdo operatori se çfarë duhet të përmirësojë. Puna që po bëjmë tani është që ky vlerësim të kthehet në masa konkrete. Synojmë që deri në dhjetor 2026 të përgatitet Programi Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Për çdo operator duhet të jetë e qartë çfarë duhet të korrigjojë, brenda çfarë afati dhe si do të verifikohet progresi” .

Sipas Ministrit, aktualisht  sistemi po bëhet më i aftë për të identifikuar riskun, për ta dokumentuar dhe për të ndërhyrë, megjithatë ka nevojë për investime të mëtejshme, forcim të gjurmueshmërisë, rritje e kapaciteteteve në kufi dhe vazhdimësinë e shërbimit laboratorik. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat