Bota Postuar më 7 October 2026, 10:57

Greqi-SHBA, aleancë në zgjerim - Rubio dhe Gerapetritis forcojnë partneritetin strategjik

Nga Edel Strazimiri

Greqi-SHBA, aleancë në zgjerim - Rubio dhe Gerapetritis forcojnë

Greqia dhe Shtetet e Bashkuara synojnë të thellojnë më tej partneritetin strategjik, me mbrojtjen, energjinë, investimet dhe sigurinë rajonale në qendër të bashkëpunimit dypalësh.

Në kuadër të nisjes së Dialogut Strategjik Greqi–SHBA, ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis dhe sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cilësuar ato në një nivel të lartë dhe me perspektivë për zgjerim të mëtejshëm.

Gerapetritis theksoi se partneriteti greko-amerikan mbështetet në vlera të përbashkëta, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe e siguri përballë krizave ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Ministri grek nënvizoi gjithashtu rolin e Greqisë si “spirancë stabiliteti” dhe urë dialogu në Mesdheun Lindor. Sipas tij, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ka arritur në një nivel të rëndësishëm.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua energjisë. Gerapetritis vuri në dukje pozicionin e Greqisë si qendër energjetike për Evropën Jugore dhe Juglindore, duke përmendur Korridorin Vertikal dhe infrastrukturën energjetike të Aleksandrupolisit. Në këtë kuadër, ai theksoi edhe praninë e kompanive amerikane, përfshirë Chevron dhe ExxonMobil, si dhe rolin e flotës tregtare greke në transportin global të energjisë.

Nga ana e tij, Marco Rubio e cilësoi Greqinë si “një aleat thelbësor të NATO-s” dhe një shtyllë stabiliteti për praninë amerikane në rajon. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Greqisë në sigurinë energjetike evropiane dhe në rritjen e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës përmes Korridorit Vertikal.

Rubio njoftoi gjithashtu përfshirjen e Forcave të Armatosura Greke në një program bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Floridës. Në fokus ishte edhe Deklarata Ekonomike SHBA–Greqi, veçanërisht bashkëpunimi për krijimin e zinxhirëve të sigurt të furnizimit dhe sigurimin e mineraleve kritike.

Në planin ekonomik, pala greke theksoi transformimin e ekonomisë së vendit dhe mundësitë për investime të reja amerikane në qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën dixhitale. Sipas Gerapetritis, nënshkrimi i tre marrëveshjeve të reja shënon një tjetër hap në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat