Europa Postuar më 7 October 2026, 10:53

BE në alarm për rafineritë - Von der Leyen kërkon plan për sigurinë energjetike, kapacitetet kanë rënë 20%

Nga Edel Strazimiri

BE në alarm për rafineritë - Von der Leyen kërkon plan

Bashkimi Europian po përballet me një dobësi në sigurinë energjetike, teksa kapacitetet e rafinimit të naftës në Europë janë tkurrur ndjeshëm vitet e fundit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar nisjen e një “dialogu strategjik” për të ardhmen e rafinerive europiane.

Rënia e kapaciteteve ka bërë që Europa të varet gjithnjë e më shumë nga importet e karburanteve të përpunuara, në një kohë kur tensionet gjeopolitike po vështirësojnë furnizimet globale. Nafta bruto mund të sigurohet nga tregjet ndërkombëtare, por kapaciteti më i kufizuar për ta përpunuar atë rrit rrezikun për furnizimin me naftë, benzinë dhe karburant për avionët.

Sipas të dhënave të industrisë, kapaciteti kryesor i rafinimit në BE, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegji dhe Zvicër ishte rreth 625 milionë tonë në vit në fund të 2025-ës, rreth 20% më pak se në vitin 2009. Në këtë periudhë janë mbyllur 35 rafineri, ndërsa disa prej tyre janë transformuar për prodhimin e lëndëve alternative.

Gjermania mbetet qendra më e madhe e rafinimit në Europë, e ndjekur nga Italia, Spanja, Holanda dhe Franca.

Von der Leyen tha se objektivi i dialogut të ri është ulja e kostove dhe garantimi i furnizimeve të nevojshme, përfshirë ato për mbrojtjen. Çështja merr rëndësi të veçantë pasi çmimi mesatar i naftës Brent arriti rreth 101 dollarë për fuçi në shtator, ndërsa konfliktet dhe kufizimet e eksporteve po ushtrojnë presion mbi tregun.

Situata është komplikuar edhe nga sulmet ndaj rafinerive ruse dhe pezullimi i eksporteve të karburanteve nga Kina. Ndërkohë, paralajmërimet për nivele të ulëta të rezervave globale të naftës kanë shtuar shqetësimet për muajt e ardhshëm.

Komisioni Europian po shqyrton kështu se si të ruajë kapacitete të mjaftueshme të rafinimit, ndërsa Europa vijon tranzicionin drejt energjisë më të pastër dhe përpiqet të ulë varësinë nga lëndët djegëse fosile.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat