Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 10:32

Ndihma shtetërore në “lupë”? - Autoriteti i Konkurrencës merr kontrollin e plotë, ngrihet regjistri

Nga Elisabeta Dosku

Ndihma shtetërore në “lupë”? - Autoriteti i

Kontrolli i instrumentit të ndihmës shtetërore do të kalojë nën përgjegjësinë e  Autoriteti i Konkurrencës, si institucion ekzistues, duke përcaktuar Komisionin e Konkurrencës si organin vendimmarrës për çështjet e ndihmës shtetërore. 

Projektligji i hedhur për konsultim publik për ndryshime në ligjin ekzistues “Për ndihmën shtetërore”, përcakton se funksionet administrative, teknike, hetimore, monitoruese dhe mbështetëse në këtë fushë do të ushtrohen nga struktura përgjegjëse për ndihmën shtetërore pranë Autoritetit të Konkurrencës.

Referuar relacionit që shoqëron projektligjin, zgjidhja e propozuar synon të garantojë ndarjen institucionale ndërmjet funksionit të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe institucioneve publike që mund të veprojnë si dhënëse të ndihmës shtetërore, duke forcuar pavarësinë dhe paanshmërinë e shqyrtimit, hetimit, monitorimit dhe vendimmarrjes për çështjet e ndihmës shtetërore. Në këtë mënyrë Konkurrenca nuk do të ketë varësi nga Këshilli i Ministrave apo ministritë e linjës.

Drafti parashikon gjithashtu forcimin e garancive për parandalimin e konfliktit të interesit pasi vendos rregulla për mospjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e çështjeve në kushtet e konfliktit të interesit.

Projektligji parashikon që Autoritetit të Konkurrencës t'i sigurohen burimet njerëzore, financiare dhe teknike të nevojshme për ushtrimin efektiv dhe të pavarur të funksioneve të kontrollit të ndihmës shtetërore.

Struktura përgjegjëse pranë Autoritetit të Konkurrencës, do të grumbullojë, përpunojë dhe monitorojë të dhënat për ndihmën shtetërore, do të monitorojë zbatimin e vendimeve dhe do të krijojë, administrojë dhe përditësojë regjistrin e ndihmës shtetërore.

Projektligji parashikon kompetenca për vendosjen e gjobave nga Autoriteti i Konkurrencës si dhe një periudhë kalimtare 6- mujore për realizimin e transferimit të funksioneve, gjatë së cilës strukturat ekzistuese vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës dhe ministria përgjegjëse për ekonominë marrin masat organizative, administrative dhe buxhetore të nevojshme për realizimin e transferimit.

Zbatimi i këtij projektligji përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe përmbushjes së angazhimeve të Republikës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat