Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 11:25

Armatimi, me gjurmim elektronik - Regjistër dhe lehtësi tatimore e doganore për subjektet e licencuara për prodhim ushtarak

Nga Ledina Elezi

Armatimi, me gjurmim elektronik - Regjistër dhe lehtësi tatimore e

Ministria e Mbrojtjes synon të përmirësojë procesin e gjurmimit të armatimit ushtarak, administrimin elektronik të të dhënave, kontrollin e zinxhirit të furnizimit, si dhe monitorimin e përdorimit të lehtësive fiskale dhe doganore për subjektet që investojnë në industrinë e mbrojtjes.

Pavarësisht se ligji parashikonte markimin dhe gjurmimin e armatimit ushtarak, deri më tani nuk ishte përcaktuar qartë autoriteti përgjegjës për krijimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e regjistrit elektronik. Me projektligjin e ri të publikuar për konsultim publik, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ngarkohet me administrimin e këtij regjistri, ndërsa subjektet e licencuara duhet të ndërlidhin sistemet e tyre të gjurmimit me të.

Një tjetër ndryshim lidhet me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit në industrinë e mbrojtjes. Operatorët ekonomikë do të duhet të dokumentojnë origjinën e lëndëve të para, komponentëve, pajisjeve dhe teknologjive të përdorura në prodhimin e mallrave ushtarake. Synimi është rritja e sigurisë së furnizimit, besueshmërisë së operatorëve ekonomikë dhe mbrojtja e interesave të sigurisë kombëtare.

Projektligji zgjeron edhe kategorinë e subjekteve që përfitojnë nga lehtësitë fiskale dhe doganore, duke përfshirë subjektet që krijojnë shoqëri të përbashkëta me shoqërinë shtetërore të prodhimit të armatimit ushtarak. Lehtësitë do të zbatohen vetëm për aktivitetet dhe investimet që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e miratuar. 

Mbahet norma zero e tatimit mbi të ardhurat korporative për dhjetë vitet e para pas fillimit të aktivitetit. Ndërkohë, parashikohet përjashtim nga TVSH-ja për importimin e mallrave, makinerive dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e produkteve të subjekteve të licencuara, kur përdoren në mënyrë të dedikuar në veprimtarinë e licencuar.

Projektligji parashikon gjithashtu normë zero të TVSH-së për shitjen e produkteve përfundimtare të prodhuara nga subjektet e licencuara.

Përjashtimi nga taksat doganore do të zbatohet për mallrat që shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e produkteve përfundimtare, ndërsa subjektet përfitojnë edhe përjashtim nga taksat vendore për veprimtaritë dhe pasuritë e paluajtshme që shërbejnë drejtpërdrejt për ushtrimin e veprimtarive të licencuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat