Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 11:46

Shifër rekord legalizimesh - 28 mijë vendime në 9 muaj. Çfarë po ndodh me kartelat fizike?

Nga Elisabeta Dosku

Shifër rekord legalizimesh - 28 mijë vendime në 9 muaj.

Mbi 28 mijë vendime legalizimi janë dhënë vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2026 duke arritur në një shifër rekord të viteve të fundit. Gjatë dëgjesës në nënkomisionin parlamentar për auditimin e sektorit publik, përfaqësuesja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka theksuar se bëhet fjalë për shqyrtimin e vetëdeklarimive dhe se tashmë grupet në terren po punojnë me një ritëm tjetër.

“Në 9 muajt e parë të 2026, kemi emetuar mbi 28 mijë vendime për ndërtimet informale, shifër rekord duke tejkaluar vitin 2025 kur ka qenë dhe shifra më e lartë.  Po punohet m shpejtësi për ti dhënë fund gjithë procesit të vetë deklarimeve të qytetarëve të bëra ndër vite. Ka problematika në terren por grupet e punës kanë filluar me ritëm tjetër punën dhe po shqyrtojnë vetëdeklarimet dhe kjo është një shifër shumë optimiste”.

Lidhur me gjetjet dhe rekomandimet e dhëna nga KLSH për problematika që lidhen kryesisht me kartelat fizike, ASHK thekson se tashmë të gjitha kartelat janë digjitalizuar dhe nuk mund të bëhen ndryshime në kartelat fizike.

“Rekomandimet qe lidhen me digjitalizimin e referencave, kartelat, dhe mungesat në kartela të ndryshme janë ndeshur në disa drejtori. Ato nuk janë më aktuale, pasi veprimet kadsastrale janë tashmë të gjitha digjitale dhe mangësitë e evidentuara në këto kartela që janë shumë të vjetra tashmë si periudhë auditimi 2022-2023 por këto rekomandime në lidhje me kartelat fizike nuk janë më aktuale. Ne nuk i zbatojmë dot më dhe nuk mund të quhen të zbatuara sepse nuk kemi më kartela fizike por digjitale dhe në këto kushte rekomandimi bëhet i pamundur për të zbatuar”.

Po ashtu theksohet se rekomandime të tjera që nuk kanë gjetur zbatim lidhen me shfuqizimin e lejeve të legalizimit.

“Rekomandimet që nuk kanë gjet zbatim është ajo për shfuqizimin e vendimeve të legalizimit 2018-2021, ka kaluar afati ligjor dhe s’jemi në kushtet ligjore për ti trajtuar dhe zbatuar. Kjo është arsyeja përse nuk janë zbatuar sot. Janë shqyrtuar të gjitha rekomandimet dhe janë dhënë argumentet se përse nuk janë zbatuar dhe këto prapë konsiderohen të pazbatuara. Të pamundur për t’u ekzekutuar janë ato që për kthimin e sipërfaqeve në tokë shtet”. 

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën me dije se po zbaton një plan pune që deri në vitin 2028 të përfundojë të gjitha legalizimet për ndërtimet informale, për ato të cilat është bërë vetëdeklarim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat