Shqipëria Postuar më 7 October 2026, 18:21

Financim për bypass-in e Elbasanit, ministri Karakaçi: Buxhet i dedikuar në vitin 2027

Nga Scan TV

Financim për bypass-in e Elbasanit, ministri Karakaçi: Buxhet i

Punimet për dy fazat e para të Bypass-it të Elbasanit kanë hyrë në zbatim, ndërsa qeveria paralajmëron vijimin e financimit të fazave të tjera edhe gjatë vitit 2027. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se kontratat për dy fazat e para janë lidhur dhe punimet kanë nisur në terren, ndërsa mungesa e shpronësimeve të mëdha pritet të favorizojë ritmin e projektit.

“Kemi lidhur kontratat për dy fazat e para. Aty ku përfundon autostrada Tiranë-Elbasan, ku krijohet dhe fluksi më i madh i trafikut, tashmë kontratat janë lidhur dhe vijon avancimi i punimeve. E kam ndjekur vetë në terren ecurinë e punimeve në këtë kantier dhe fatmirësisht, në të dyja këto faza nuk kemi nevojë për shpronësime të mëdha, sepse një pjesë e këtyre shpronësimeve janë kryer në një kohë të mëparshme dhe, si e tillë, presim të vijojë puna me ritme të mira. Lajmi i mirë është që edhe në buxhetin e vitit 2027 ne do të vazhdojmë me financimin e fazave pasuese të Bypass-it të Elbasanit, që është një nyje strategjike e veprave infrastrukturore në vend, që bën ndarjen e juglindjes me jugun e Shqipërisë”, tha Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Paralelisht, një tjetër projekt i rëndësishëm infrastrukturor ka hyrë në një fazë të re. Bëhet fjalë për hekurudhën Tiranë-Durrës, me lidhjen me aeroportin e Rinasit, ku interesi ndërkombëtar për operimin e linjës duket se është i lartë.

“Kishim një takim shumë të rëndësishëm dje, që është për përzgjedhjen e operatorit ndërkombëtar për hekurudhën Tiranë-Durrës, me stacionin kryesor, aeroportin e Rinasit. Lajmi i mirë është që janë nga 3 deri në 5 kompani ndërkombëtare me shumë eksperiencë që kanë shfaqur interes dhe duan të jenë pjesë e garës së operatorit ndërkombëtar. Procesi është në vijim dhe shumë shpejt do të kemi finalizimin e këtij procesi”, deklaroi Karakaçi

Dy projektet synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke lehtësuar trafikun rrugor dhe duke zgjeruar alternativat e transportit publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat