Shqipëria Postuar më 8 October 2026, 10:12

Bursat e kriptove, 150 mijë euro - Operatorët në 3 kategori, kërkesat nga 50 mijë euro

Nga SCAN TV

Bursat e kriptove, 150 mijë euro - Operatorët në 3 kategori,

Tregu i kriptoaseteve në Shqipëri pritet të funksionojë me rregulla të reja kapitali dhe sigurie. Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve” ndan ofruesit e shërbimeve në tre kategori, sipas nivelit të aktivitetit dhe rrezikut që mbartin.

Në kategorinë e parë, kapitali minimal përcaktohet në kundërvlerën e 50 mijë eurove. Këtu përfshihen shërbime si ekzekutimi dhe transmetimi i urdhrave të klientëve, transfertat e kriptoaseteve, këshillimi dhe administrimi i portofoleve.     

Në kategorinë e dytë, kërkesa rritet në 125 mijë euro. Në këtë grup hyjnë kompanitë që, përveç shërbimeve të kategorisë së parë, ruajnë dhe administrojnë kriptoasetet e klientëve ose kryejnë këmbimin e kriptove me para dhe kripto me kripto.    

Pragu më i lartë, prej 150 mijë eurosh, parashikohet për operatorët që drejtojnë një platformë tregtimi të kriptoaseteve. Pra, në gjuhë të thjeshtë, për bursat e kriptove.     

Por 150 mijë euro nuk është domosdoshmërisht tavani. Ligji kërkon që kapitali i operatorit të jetë në çdo moment jo më i ulët se vlera më e madhe mes minimumit të kategorisë dhe një të katërtës së shpenzimeve fikse të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se për operatorët më të mëdhenj, kërkesa reale mund të jetë edhe më e lartë.     

Projektligji lejon që kjo kërkesë prudenciale të përmbushet përmes fondeve të veta, një police sigurimi që mbulon aktivitetin në Shqipëri, ose një kombinimi të tyre.     

Për të marrë autorizimin nga AMF-ja, operatorët duhet të paraqesin edhe strukturën e pronësisë, eksperiencën e drejtuesve, sistemet e sigurisë teknologjike, procedurat kundër pastrimit të parave dhe mënyrën se si do t’i mbajnë të ndara fondet dhe kriptoasetet e klientëve nga pasuria e kompanisë. 

Pra, me ligjin e ri, hyrja në tregun e kriptove nuk do të kërkojë vetëm teknologji dhe klientë, por edhe kapital, garanci financiare dhe standarde të forta sigurie.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat