Analiza Postuar më 8 October 2026, 11:10

Inflacioni, nën normën 3%/ Zbret poshtë objektivit të Bankës Qendrore, por transporti shtrenjtohet me 12.4%

Nga Xhorxhina Deda

Inflacioni, nën normën 3%/ Zbret poshtë objektivit të

Inflacioni në Shqipëri u ngadalësua për të dytin muaj radhazi gjatë shtatorit, duke u rikthyer nën objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, norma vjetore e inflacionit zbriti në 2.9%, nga 3.2% në gusht dhe 3.4% në korrik. Megjithatë, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur inflacioni ishte 2.4%, ritmi i rritjes së çmimeve mbetet më i lartë. Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.4%.

Pavarësisht ngadalësimit të inflacionit të përgjithshëm, presioni mbi buxhetet familjare vijon të jetë i përqendruar te ushqimet, transporti dhe shpenzimet për banesën. Këto tri kategori dhanë kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve gjatë shtatorit.

Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 0.96 pikë përqindje në inflacionin vjetor, nga 0.95 pikë përqindje në gusht. Pas tij renditet transporti, me një kontribut prej 0.81 pikë përqindje, ndërsa grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” ndikoi me 0.54 pikë përqindje.

Transporti mbetet kategoria me shtrenjtimin më të fortë në terma vjetorë, për shkak të luahtjeve në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së çmimit të karburanteve. Krahasuar me shtatorin 2025, çmimet në këtë grup u rritën me 12.4%, duke shënuar një përshpejtim të lehtë nga niveli 12% i regjistruar në gusht.

Pas transportit renditet grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me një rritje vjetore prej 5.9%, ndërsa çmimet e sigurimeve dhe shërbimeve financiare u rritën me 4.5%. Kostot e qirasë, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera ishin 2.7% më të larta se në shtatorin e vitit të kaluar.

Në bazë mujore, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua te shërbimi arsimor, me 1.2%, i ndjekur nga veshjet dhe këpucët me 1.1%, argëtimi, sporti dhe kultura me 0.9% dhe ushqimet me 0.8%. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat