Shqipëria Postuar më 23 Gusht 2023, 14:50

Shërbimet postare rrezikojnë të dhënat e qytetarëve - Posta Shqiptare gjobitet me 1.1 mln lekë. Ruan të dhëna në kundërshtim me ligjin

Nga SCAN TV
Shërbimet postare rrezikojnë të dhënat e qytetarëve -

Shërbimet postare në vend administrojnë të dhëna konfidenciale të qytetareve, por nuk janë të kujdesshme në ruajtën e tyre siç duhet. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përgjatë këtij viti është orientuar në kontrollet në këtë kategori dhe ka vendosur sanksione për disa prej tyre.

Kështu, Posta Shqiptare,  në të cilën përveç dërgesave, kryhen edhe një sërë shërbimesh të tjera, siç është tërheqja e pensioneve, ndihmës ekonomike, asistencë sociale, pagesat e faturave, si ujë, drita, kopshte, çerdhe, etj, është gjobitur nga Komisioneri në vlerën e 1.1 milionë lekëve, si dhe i janë lënë rekomandimet përkatëse.  Sipas vendimit, kontrolluesi, përpunon të dhëna personale për subjektet “klientë”, “punonjës”, “vizitorë”, “ish-punëmarrës”, “kandidatë për punë”, etj, në mënyrë manuale dhe elektronike.

Vendimi citon se “konstatohet se, të dhënat e “ish-punëmarrësve” dhe “kandidatë për punë”, ruhen në arkivën fizike dhe elektronike të Kontrolluesi pa përcaktuar një afat konkret të ruajtjes së tyre, në kundërshtim me ligjin, sipas së cilit në momentin e përfundimit të qëllimit të përpunimit, subjekti duhet të realizojë shkatërrimin e tyre.

Komisineri konstaton se sa i takon verifikimit on-site të sistemeve “Eterna Posta dhe Eterna Financiare” dhe aplikacionit “e-Posta”, nuk janë marrë masat e duhura për të garantuar të dhënat sensitive të qytetarëve.

Referuar vendimit, ofrimi i aksesit online të sistemeve elektronike për përdoruesit nëpërmjet aplikacionit e-Posta, kërkon marrjen e masave teknike të shtuara, të tilla si, auditime dhe vlerësime teknike të sigurisë së aplikacionit e-Posta.  Sa më sipër, Zyra e Komisionerit vlerëson se, kjo situatë përbën një risk të shtuar për sa i përket sigurisë së të dhënave, pasi në rast të një dëmtimi, humbjeje apo komprometimi të këtyre të dhënave, nuk mund të identifikohet gjurmimi dhe përgjegjësia.

Gjithashtu, Zyra e Komisionerit tekson se, Kontrolluesi nuk ka marrë masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, aksidentale, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht në këtë rast kur përpunimi i të dhënave kryhet nëpërmjet komunikimeve elektronike.

Ndërkohë përpos Postës Shqiptare është gjobitur dhe një tjetër subjekt privat i kësaj kategorie, në vlerën e 450 mijë lekëve.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat