Shqipëria Postuar më 2 October 2026, 11:41

Pagesat, me rregulla të reja/ Përveç bankave, projektrregullorja e re e BSH përfshin edhe institucionet e pagesave

Nga Ledina Elezi

Pagesat, me rregulla të reja/ Përveç bankave,

Dy projektrregullore të reja të Bankës së Shqipërisë parashikojnë ndryshime në mënyrën e funksionimit të sistemeve të pagesave AIPS dhe AIPS EURO, duke sjellë rregulla më të detajuara për pjesëmarrësit dhe për administrimin e fondeve.

Një nga ndryshimet kryesore është përfshirja më e qartë e ofruesve jobanka të shërbimeve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike në këto sisteme. Në rastin e AIPS EURO, projektrregullorja përcakton se pjesëmarrës mund të jenë banka, institucione pagesash dhe institucione të parasë elektronike. Ndërsa transfertat ndërbankare mund të nisen vetëm nga bankat, përfitues mund të jetë edhe një ofrues jobankë.

Për institucionet jobanka vendosen edhe rregulla për sasinë e fondeve që mund të mbajnë në sistem. Në AIPS EURO, shuma totale e fondeve që një institucion jobankë mban në llogaritë në euro, përfshirë edhe fondet në sistemin e pagesave të menjëhershme, nuk duhet të tejkalojë një kufi të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Ky kufi lidhet me vëllimin e pagesave të institucionit dhe rillogaritet periodikisht.

Një tjetër element i rëndësishëm është lidhja më e drejtpërdrejtë mes AIPS, AIPS EURO dhe sistemit të pagesave të menjëhershme. Ky i fundit parashikohet të funksionojë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit, ndërsa lëvizjet e likuiditetit për furnizimin ose zbrazjen e llogarive të tij realizohen përmes AIPS dhe AIPS EURO brenda orareve të lejuara.

Ndryshojnë dhe rregullat operacionale dhe oraret. Për AIPS EURO, pagesat e klientëve pranohen deri në orën 16:15, ndërsa operimi përfundon në orën 16:20. Pas këtij afati, sistemi nuk pranon më pagesa ndërbankare, ndërsa procedurat e mbylljes vijojnë deri në orën 16:45.

Projektrregulloret parashikojnë gjithashtu procedura më të përcaktuara për sigurinë, testimin e ndryshimeve teknike, komunikimin me Bankën e Shqipërisë dhe asistencën për pjesëmarrësit. Për ndryshimet që prekin sistemin, përcaktohet edhe mënyra se si ndahen kostot mes Bankës së Shqipërisë dhe pjesëmarrësve.

Në thelb, projektrregulloret synojnë të përshtatin kuadrin e funksionimit të AIPS dhe AIPS EURO me zhvillimet e reja në tregun e pagesave, duke përcaktuar më qartë rolin e bankave dhe institucioneve jobanka, administrimin e likuiditetit dhe ndërveprimin me pagesat e menjëhershme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat