Shqipëria Postuar më 2 October 2026, 10:33

Modernizohet rrjeti në Golem/ Investim i ri për energjinë, synohen më pak defekte

Nga Ernilda Luzi

Modernizohet rrjeti në Golem/ Investim i ri për energjinë,

Drejtoria Rajonale e OSSH Durrës ka shpallur hapjen e garës për zhvillimin e fiderit të ri nr.9 në Nënstacionin 110/20 kV Golem, së bashku me ndërtimin e kabinave të reja dhe rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të ulët. Ky investim i ri pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në zonën e Golemit në Kavajë. Fondi limit i parashikuar për këtë investim është 124 milionë e 734 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, zona e Golemit furnizohet aktualisht nga fidera 6 kV dhe 20 kV që dalin nga Nënstacioni 110/20/6 kV Golem, ndërsa një pjesë e zonës furnizohet përmes fiderit ekzistues F7, 6 kV.

Gjithashtu në dokument evidentohen problematika në rrjetin ekzistues të tensionit të mesëm. Linjat 6 kV shtrihen në terren kodrinor, përgjatë korridoreve të gjata dhe me degëzime të shumta. Kjo situatë shoqërohet me kufizime në stabilitetin e tensionit dhe ekspozim më të madh ndaj defekteve atmosferike. Në disa zona, kabinat e transformimit ndodhen në distanca të konsiderueshme nga njëra-tjetra, ndërsa linjat kalojnë në terrene të vështira për mirëmbajtje.

Projekti parashikon ndërtimin e një fideri të ri 20 kV, F9, i cili do të furnizojë zonat e mbetura të Golemit. Në kuadër të këtij investimi janë planifikuar 13 kabina të reja. Nga nënstacioni i Golemit do të ndërtohet një linjë e re kabllore nëntokësore me gjatësi rreth 1 kilometër, ndërsa më tej do të ndërtohet një linjë ajrore me gjatësi rreth 10 kilometra për vijimin e furnizimit të kabinave shtyllore.

Sipas projektit është parashikuar edhe rikonstruksioni i plotë i rrjetit ekzistues të tensionit të ulët. Rrjeti i ri do të krijojë gjithashtu kapacitete më të mëdha për përballimin e rritjes së ngarkesës dhe zhvillimit të mëtejshëm të zonës. Sipas dokumentacionit, ndërtimi i rrjetit të ri 20 kV dhe sistemimi i rrjetit të tensionit të ulët synojnë uljen e humbjeve teknike deri në rreth 5%, përmirësimin e cilësisë së energjisë së shpërndarë dhe reduktimin e numrit të defekteve.

Investimi synon të zëvendësojë një pjesë të infrastrukturës ekzistuese 6 kV me një rrjet të ri 20 kV, duke përmirësuar sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Golem. Ndërhyrja parashikon njëkohësisht modernizimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe krijimin e një infrastrukture më të përshtatshme për nevojat aktuale dhe rritjen e konsumit në këtë zonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat