Europa Postuar më 2 October 2026, 10:31

BE “hap thesin” për krizën/ Shpenzoi 17.9 miliardë euro për familjet dhe bizneset

Nga Dorian Koça

BE “hap thesin” për krizën/ Shpenzoi 17.9 miliardë

Qeveritë e Bashkimit Evropian kanë shpenzuar 17.9 miliardë euro gjatë vitit 2026 për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë te familjet dhe bizneset. Sipas Komisionit Evropian, 25 shtete anëtare kanë miratuar masa fiskale për të amortizuar efektet e rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit. Shuma përfaqëson rreth 0.1% të PBB-së së BE-së. Por Brukseli kërkon një ndryshim në mënyrën se si jepet kjo mbështetje.

Më shumë se dy të tretat e ndihmës janë orientuar drejt masave të përgjithshme mbi çmimet, ndërsa Komisioni Evropian argumenton se mbështetja duhet të fokusohet më shumë te familjet dhe bizneset më të ekspozuara ndaj kostove të larta.

Komisioni thekson se kostot e huamarrjes për shtetet anëtare janë rritur ndjeshëm, duke shtuar presionin mbi buxhetet kombëtare. Për këtë arsye, qeverive u kërkohet që masat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve të jenë të përkohshme, të mirëhartuara dhe të targetuara.

Brukseli kërkon gjithashtu më shumë investime në rrjetet e energjisë elektrike dhe një trajtim fiskal më të favorshëm për energjinë elektrike në raport me gazin. Synimi është që konsumatorët dhe bizneset të kenë më shumë stimuj për t'u larguar nga lëndët djegëse fosile.

Në të njëjtin dokument, Komisioni Evropian sinjalizon se ekonomia e eurozonës mund të ketë një performancë më të dobët në vitin 2027. Rritja ekonomike në vitin 2026 pritet të jetë disi mbi parashikimin e mëparshëm prej 0.9%, ndërsa për vitin 2027 Komisioni pret një rritje më të ulët se 1.2%, parashikimi i bërë më herët.

Edhe inflacioni mbetet mbi objektivin. Për vitin 2026 parashikohet rreth 3%, ndërsa për vitin 2027 pritet të jetë më i lartë se parashikimi i mëparshëm prej 2.3%. Komisioni Evropian e konsideron krizën energjetike të viteve 2022-2023 një mësim për qeveritë: në rast të goditjeve të reja të çmimeve, mbështetja duhet të jetë sa më e fokusuar te ata që kanë më shumë nevojë, duke kufizuar njëkohësisht barrën mbi financat publike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat