Bota Postuar më 2 October 2026, 10:20

Aleanca e re BE-Kanada/ Nga lëndët e para strategjike te avionët zjarrfikës, po përgatitet marrëveshja

Nga Edel Strazimiri

Aleanca e re BE-Kanada/ Nga lëndët e para strategjike te avionët

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja, të cilat duan të krijojnë një “aleancë të re” kundër Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, po përgatisin marrëveshje mbi shërbimet dixhitale, lëndët e para strategjike dhe avionët zjarrfikës përpara samitit të tyre në fund të tetorit. Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia France-Presse.

Ky samit që do të mbahet në Montreal do të jetë një mundësi për evropianët dhe kanadezët për të zbatuar qëllimet e tyre për afrim, pas propozimit të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kanadaja të bëhej "anëtarja e parë e asociuar" e BE-së.

“BE-ja dhe Kanadaja, me tregtinë e tyre të pakrahasueshme, vlerat e përbashkëta dhe avantazhet ekonomike plotësuese, mund të ndërtojnë një marrëdhënie më të thellë dhe më gjithëpërfshirëse”, nënvizohet në një draft-deklaratë të përbashkët dërguar 27 vendeve të BE-së për mendim.

Ky draft teksti, që pritet të publikohet në fund të samitit, rendit një listë marrëveshjesh që janë në proces përgatitjeje dhe që do të shpallen gjatë samitit.

Ato përfshijnë një marrëveshje tregtare dixhitale që do të synojë të “mundësojë shkëmbime dhe transaksione dixhitale të sigurta, më të shpejta dhe me kosto më të ulët”, bashkëpunim të zgjeruar midis autoriteteve të konkurrencës dhe pjesëmarrjen e Bankës Evropiane të Investimeve në projektet kanadeze të minierave strategjike të mineraleve.

Dokumenti përmend gjithashtu blerjen e përbashkët nga BE-ja dhe Kanadaja e 50 avionëve zjarrfikës nga industria kanadeze e hapësirës ajrore De Havilland, të cilët do të përdoren deri në vitin 2030 për të luftuar zjarret.

Ottaëa dhe Brukseli gjithashtu duan të zhvillojnë mundësi për qytetarët e tyre “për të studiuar, punuar, kryer kërkime dhe ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme”. Deklarata thotë gjithashtu se Kanadaja do të fillojë diskutimet për t'u bashkuar me programin evropian Erasmus. Të dyja palët duan gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin e tyre në energji, veçanërisht me një studim fizibiliteti mbi mundësinë e eksportimit të gazit natyror të lëngshëm të prodhuar në Kanada në Evropë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat