Rajoni Postuar më 2 October 2026, 10:22

Athina sfidon rregullat/ Çmimet e energjisë rriten, Greqia kërkon lehtësi fiskale

Nga Edel Strazimiri

 

Athina sfidon rregullat/ Çmimet e energjisë rriten, Greqia

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar Komisionit Europian më shumë hapësirë fiskale për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e çmimeve të energjisë. Kërkesa u bë përmes një letre drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator.

Athina propozon që masat e përkohshme kombëtare për mbështetjen e konsumatorëve të mos llogariten plotësisht në treguesin europian të shpenzimeve neto. Sipas qeverisë greke, kjo do t’u jepte vendeve më shumë mundësi për subvencione dhe masa mbështetëse, pa u përballur me të njëjtin presion nga rregullat fiskale të Bashkimit Europian.

Mitsotakis argumenton se goditja energjetike është përkeqësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave të cituara prej tij, çmimet e benzinës para taksave në Europë janë rritur me 53%, ndërsa ato të naftës me 66%. Edhe gazi është rritur nga pak mbi 30 euro në rreth 70 euro për megavat-orë.

Çmimet e energjisë elektrike kanë kaluar 100 euro për megavat-orë në shumicën e vendeve europiane gjatë muajit të fundit, ndërsa para krizës së re në Lindjen e Mesme ishin rreth 42 euro. Në disa tregje europiane, çmimet kanë prekur ose kaluar edhe 200 euro për megavat-orë.

Greqia ka ndërmarrë tashmë masa për familjet, bizneset dhe sektorin bujqësor, ndërsa ka ulur edhe disa taksa mbi të ardhurat dhe pronën. Megjithatë, Athina përballet me nevojën për të vijuar uljen e borxhit publik, çka e bën më të kufizuar hapësirën për politika të reja shpenzuese.

Mitsotakis kërkon gjithashtu që në llogaritjet europiane të merren parasysh të ardhurat shtesë nga TVSH-ja, të krijuara nga inflacioni më i lartë i lidhur me energjinë. Sipas propozimit grek, kjo mund t’u japë qeverive një tjetër burim hapësire për të financuar masat e mbështetjes.

Çështja pritet të diskutohet në takimin e ministrave të Energjisë në Bruksel gjatë tetorit. Edhe Italia ka kërkuar më shumë fleksibilitet në zbatimin e rregullave fiskale, ndërsa disa vende europiane kanë shpenzuar tashmë miliarda euro për subvencione dhe ulje taksash.

Debati po rikthen në qendër të vëmendjes ekuilibrin mes mbështetjes së familjeve dhe bizneseve dhe ruajtjes së disiplinës së financave publike. Mitsotakis argumenton se vetëm ulja e konsumit të energjisë nuk mjafton dhe kërkon masa më të gjera në nivel europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat