FunData Postuar më 2 October 2026, 11:37

Si ndryshon jeta ekonomike? Gratë shqiptare përpara në blerjet online, burrat në shpenzimet familjare

Nga Eldiona Serani

  Si ndryshon jeta ekonomike? Gratë shqiptare përpara në blerjet

Publikimi i INSTAT, “Gra dhe Burra”, sjell të dhëna mbi dallimet gjinore në ekonomi, përdorimin e teknologjisë dhe kushtet e jetesës në Shqipëri. Shifrat evidentojnë ndryshimet mes grave dhe burrave në shpenzimet familjare, aktivitetin digjital dhe rrezikun e varfërisë e përjashtimit social.

Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum arritën në rreth 93 mijë lekë për njësi ekonomike familjare. Megjithatë, vlera ndryshon në varësi të gjinisë së kryefamiljarit. Familjet me kryefamiljarë burra shpenzuan mesatarisht 96 mijë lekë në muaj, ndërsa ato me kryefamiljare gra regjistruan shpenzime prej 76 mijë lekësh. Diferenca tregon se struktura dhe kushtet ekonomike të familjeve ndikojnë në nivelin e konsumit të tyre.

Një tjetër tregues që pasqyron ndryshimet në jetën e përditshme të shqiptarëve është përdorimi i internetit. Sipas të dhënave për vitin 2025, 87.2% e individëve të moshës 16–74 vjeç kishin përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit. Përqindja ishte më e lartë te burrat, me 88.1%, ndërsa te gratë arrinte në 86.3%. Këto shifra tregojnë se interneti është kthyer në një mjet të rëndësishëm për komunikimin, informimin dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Përhapja e teknologjisë reflektohet edhe te blerjet online. Në vitin 2025, 55.6% e grave kishin blerë veshje dhe mallra sportive në internet, kundrejt 44.4% të burrave. Ndërkohë, për blerjen e kompjuterëve dhe pajisjeve kompjuterike, përqindja ishte 50.9% për gratë dhe 49.1% për burrat. Të dhënat evidentojnë një përdorim të gjerë të kanaleve digjitale për blerje, megjithëse preferencat ndryshojnë sipas kategorisë së produkteve.

Përtej rrezikut të varfërisë, një tregues më i gjerë është ai i rrezikut për të qenë në varfëri ose përjashtimit social ky tregues arriti në 40.5%, me një nivel prej 41.5% për gratë dhe 39.4% për burrat. Ndryshe nga treguesi që mat vetëm rrezikun e varfërisë, AROPE përfshin edhe forma të tjera të vështirësive ekonomike dhe sociale.

Në tërësi, të dhënat paraqesin një panoramë të dyfishtë të familjeve shqiptare nga njëra anë, rritet përdorimi i internetit dhe përfshirja në tregtinë online nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vijon të përballet me rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social. Këta tregues ndihmojnë për të kuptuar më mirë ndryshimet në konsumin familjar, përdorimin e teknologjisë dhe kushtet e jetesës në Shqipëri.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat