Analiza Postuar më 10 Shkurt 2026, 14:48

Rreth 57% e të burgosurve nuk janë fajtorë ende/ Statistikat mbi popullsinë e burgjeve, shqiptarët kalojnë vite në pritje të një gjykimi

Nga Xhorxhina Deda

Rreth 57% e të burgosurve nuk janë fajtorë ende/ Statistikat mbi

Në Shqipëri, burgu nuk funksionon më vetëm si vend ku vuhet një dënim i dhënë nga gjykata. Të dhënat zyrtare dhe gjetjet e "Scan Intel" për sistemin penitenciar tregojnë se ai po përdoret gjithnjë e më shumë si hapësirë pritjeje për një drejtësi që zvarritet. Paraburgimi, i cili në parim duhet të jetë masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme, është kthyer në një element strukturor të sistemit penal.

Më shumë paraburgosur se të dënuar

Në fund të muajit dhjetor të vitit 2025, në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodheshin 1,934 persona të dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa 2,569 persona ishin në paraburgim. Kjo do të thotë se shumica e personave pas hekurave nuk janë dënuar ende, por po presin përfundimin e hetimit apo gjykimit. Pra, të paraburgosurit në vendin tonë, sipas statistikave nga “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve” zënë rreth 57% të popullsisë së burgjeve gjithsej.

Në raportin SPACE I 2024 për Shqipërinë, pjesa mbi paraburgimin është veçanërisht e rëndësishme. Përqindja e të paraburgosurve është e lartë krahasuar me mesataren europiane. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së burgjeve në Shqipëri nuk është ende e dënuar, por pret gjykimin. Raporti thekson se paraburgimi përdoret shpesh si masë standarde, në vend të alternativave më të lehta si lirimi me kusht apo garancia financiare. Këshilli i Europës dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë theksuar se Shqipëria duhet të redukojë përdorimin e paraburgimit dhe të garantojë që ai të përdoret vetëm kur është absolutisht i domosdoshëm.

Burgu mban brenda moshën aktive të shoqërisë

Shifrat tregojnë gjithashtu se burgu dhe paraburgimi prekin kryesisht moshën aktive të shoqërisë. Te të dënuarit, grupmoshat nga 25 deri në 50 vjeç përbëjnë pjesën dërrmuese të popullsisë në burg. E njëjta prirje vërehet edhe më fort te paraburgosurit, ku grupmosha 30-40 vjeç është më e përfaqësuara, e ndjekur nga 25-30 dhe 40-50 vjeç. Kjo do të thotë se krijohen pasoja sociale dhe ekonomike që shkojnë përtej individit të arrestuar.

Raporti thekson se paraburgimi i gjatë për këto grupmosha rrit rrezikun e përjashtimit social dhe e vështirëson ndjeshëm riintegrimin, edhe në rastet kur personi shpallet i pafajshëm.

Krime të rënda dhe hetime të gjata

Struktura e veprave penale tregon se burgjet shqiptare nuk janë të mbushura kryesisht me shkelje të lehta. Tek të dënuarit, peshë të madhe zënë vrasjet dhe veprat penale të lidhura me drogën, ndërsa vjedhjet dhe veprat e tjera plotësojnë një tablo të kriminalitetit të rëndë. Edhe tek të paraburgosurit, veprat që lidhen me drogën, vjedhjet dhe vrasjet përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të rasteve, çka tregon se një numër i madh personash ndodhen në paraburgim për çështje që kërkojnë hetime të ndërlikuara dhe procese të gjata gjyqësore.

Kohëzgjatja e dënimeve

Dominimi i dënimeve mbi pesë vjet, përfshirë një numër të konsiderueshëm dënimesh nga dhjetë deri në njëzet vjet dhe dënime të përjetshme, e bën qarkullimin në sistem të ngadaltë. Referuar statistikave, peshën më të madhe të madhe e kanë të dënuarit nga 5 deri në 10 vite, pasuar nga të dënuarit nga 10 deri në 20 vite.

Paraburgimi gjatë vitit: hyrjet më të shpejta se daljet

Të dhënat mujore tregojnë se numri i paraburgosurve mbetet i lartë gjatë gjithë vitit, me luhatje të vogla dhe kulme në muajt e dytë të vitit. Kjo tregon se hyrjet në sistem janë të vazhdueshme, ndërsa daljet nuk e kompensojnë ritmin e paraburgimeve të reja.

Në këtë kontekst, aminstia mund të shihet jo si politikë penale, por si pasojë të presionit mbi sistemin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat