Shqipëria Postuar më 16 Maj 2026, 13:00

Banka Botërore vlerëson politikën monetare të Shqipërisë - Paolucci: Raporti i kredive me probleme, në nivelet minimale të më shumë se një dekade

Nga Ledina Elezi

Banka Botërore vlerëson politikën monetare të

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa raporti i kredive me probleme ka shënuar nivelet minimale të më shumë se një dekade, duke rënë nga 25% në vitin 2014, në 3.8% në 2026. Kështu e ka vlerësuar Përfaqësuesi rezident i Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci shëndetin financiar të vendit në një takim të zhvilluar së fundmi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në hapje të takimit, Guvernatori Sejko i përcolli përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare, një falënderim të veçantë për asistencën teknike të ofruar ndër vite për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar.

Ai u shpreh se ndonëse pasiguria në kontekstin botëror mbetet e lartë, vendimet lidhur me politikën monetare kushtëzohen nga informacionet e reja dhe do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin e stabilitetit të çmimeve. Sipas Guvernatorit, rritja e çmimeve të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore mund të ndikojë në nivelet e  inflacionit dhe ritmit të rritjes ekonomike në vend. Megjithatë, efektet e goditjes pritet të jenë kalimtare dhe të mos lënë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit. 

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit me tregun evropian.

Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë, me asistencën e Bankës Botërore, ka ndërmarrë hapa konkretë për harmonizimin e kuadrit rregullator me standardet evropiane, duke mundësuar anëtarësimin me sukses në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).

Gjithashtu, Banka ka pasur edhe një bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore në kuadër të projektit TIPS Clone, si dhe për të zbatuar një sistem pagesash të shpejta (Instant Payment), i cili synon të ofrojë pagesa në kohë reale, me një siguri më të lartë dhe kosto më të ulët për qytetarët. Banka Botërore do të vijojë të ofrojë asistencë teknike për Shqipërinë.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat