Shqipëria Postuar më 10 Shkurt 2026, 14:10

Kursi i këmbimit “godet” depozitat në euro - Ku duhet t'i shpenzojmë dhe investojmë paratë në kushtet e forcimit të lekut?

Nga Ledina Elezi

Kursi i këmbimit “godet” depozitat në euro - Ku duhet

Rreziku nga kursi i këmbimit i ka bërë shumë qytetarë të reflektojnë për kursimet e tyre gjatë vitit 2025.

Depozitat në euro hapen kryesisht nga individë dhe biznese që kanë të ardhura në euro, por jo vetëm. Nëse ata i kanë shpenzimet në lekë, atëherë këmbimi i monedhës evropiane me atë kombëtare do t'i kushtojë shumë në xhepat e tyre, duke marrë parasysh faktin që për më shumë euro, tashmë merr më pak lekë. E thënë ndryshe, për ata që kanë aktualisht depozita në euro, të cilat mund t'i kenë hapur para 1 viti ose më shumë dhe është duke i përfunduar afati, më shumë humbasin nga konvertimi i tyre në lek sesa fitojnë.

Ata që po planifikojnë të hapin një depozitë për herë të parë ose të re, duhet ta mendojnë dy herë nëse duan ta hapin në euro ose në lekë.

Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, depozitat në monedhën kombëtare kanë arritur në 914 miliardë lekë në 2025, duke u rritur me 11.7% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, depozitat në valutë rezultojnë në 940 miliardë lekë, pjesa më e madhe e të cilave në euro, duke u rritur me 6.2% në krahasim me 2024. Pavarësisht se depozitat në euro vijojnë të dominojnë, sërish rritja e atyre në lekë rezulton të jetë më e madhe.

Zhvlerësimi i euros mund të jetë padyshim një faktor që ka ndikuar në “fuqizimin” e depozitave në lekë, por jo domosdoshmërisht. Normat më të favorshme të interesit për depozitat në monedhën kombëtare, i kanë bërë më tërheqëse se ato në euro.

Ndryshe ndodh me kreditë. Personat që kanë marrë kredi në monedhën evropiane, por të ardhurat i kanë në lekë, do t'u duhen më pak lekë për t'i kthyer në euro dhe për të paguar këstet në të njëjtën monedhë që kanë marrë kredinë. Edhe nëse kredia është në euro dhe kësti paguhet në lekë, ndikimi i kursit mbetet i ndjeshëm.

Pra, në kushtet kur euro vijon të dobësohet, ata që kanë një kredi ekzistuese në monedhën evropiane përfitojnë më shumë momentalisht, pasi nëse ke fitim në lek dhe i kthen në euro për këstin, ti do të paguash më pak.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat