Analiza Postuar më 28 October 2026, 10:26

Sa para duhen të jetosh ‘rehat’/ Me €723 hyn në shtresën e mesme të lartë, por a mjaftojnë?

Nga Xhorxhina Deda

Sa para duhen të jetosh ‘rehat’/ Me €723 hyn në

Për t'u përfshirë në shtresën me të ardhura të mesme të larta në Shqipëri, një person që jeton vetëm duhet të ketë të ardhura neto prej të paktën €723 në muaj. Për një çift pa fëmijë, ky prag rritet në rreth €1,085, ndërsa për një familje me dy fëmijë nën moshën 14 vjeç arrin në €1,518 në muaj.

"Scan Intel" është nisur nga përllogaritjet e Euronews Business, bazuar në të dhënat e vitit 2025, për të përcaktuar nivelin e të ardhurave që shënon fillimin e kategorisë së mesme të lartë në 34 vende europiane.

Shqipëria rezulton me pragun e dytë më të ulët në Europë, pas Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në Shqipëri jetohet më lirë apo se €723 në muaj garantojnë një jetë të rehatshme.

Arsyeja kryesore e këtij pragu të ulët është niveli i ulët i të ardhurave të popullsisë shqiptare në krahasim me vendet e tjera europiane. Për llogaritjen e tij, Euronews Business ka përdorur metodologjinë e OECD, sipas së cilës kategoria e mesme e lartë fillon në nivelin e 150% të të ardhurave mediane kombëtare.

Mediana është niveli që e ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta: gjysma ka të ardhura më të ulëta dhe gjysma tjetër më të larta.

Nga shifrat e Euronews rezulton se e ardhura mediane ekuivalente në Shqipëri është rreth €482 në muaj, ndërsa në Bashkimin Europian arrin në €1,912. Pra, mediana e të ardhurave në BE është pothuajse katër herë më e lartë se në Shqipëri.

Pikërisht kjo diferencë shpjegon pse një person në Shqipëri e arrin pragun e shtresës së mesme të lartë me €723 në muaj, ndërsa në Bashkimin Europian nevojiten mesatarisht €2,867.

Me fjalë të tjera, një shqiptar mund të klasifikohet në një kategori relativisht të lartë të ardhurash brenda vendit, edhe pse shuma që disponon është shumë më e ulët se ajo e një qytetari europian në të njëjtën kategori.

Shqipëria, ndër vendet me pragun më të ulët në Europë

Diferencat janë të dukshme edhe në krahasimin rajonal. Në Maqedoninë e Veriut, pragu për një person që jeton vetëm është €603 në muaj, në Turqi €755, në Malin e Zi €825 dhe në Serbi €975.

Hendeku zgjerohet ndjeshëm në krahasim me vendet e Bashkimit Europian. Në Greqi nevojiten €1,463 në muaj për të arritur pragun e shtresës së mesme të lartë, në Itali €2,758, në Francë €3,307 dhe në Gjermani €3,611.

Në vendet me të ardhurat më të larta, ky nivel është edhe më i madh. Në Luksemburg arrin në €6,256 në muaj, ndërsa në Zvicër në €6,491.

Megjithatë, këto shifra nuk përfaqësojnë një buxhet të llogaritur mbi shpenzimet reale të jetesës, por një kufi statistikor që lidhet me nivelin e të ardhurave në secilin vend.

Shqipëria në fund të renditjes kur merret parasysh fuqia blerëse

Një tjetër element i rëndësishëm i analizës është krahasimi sipas fuqisë blerëse, i cili merr parasysh diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve.

Kur të ardhurat shprehen në standardin e fuqisë blerëse (PPS), Shqipëria rezulton me pragun më të ulët ndër 34 vendet e analizuara. Kjo do të thotë se, edhe pasi merren parasysh diferencat e çmimeve, pragu shqiptar mbetet rreth 2.7 herë më i ulët se ai i BE-së.

A mjaftojnë €723 për të jetuar rehat?

Ekspertët e cituar nga Euronews Business paralajmërojnë se përfshirja në shtresën e mesme të lartë nuk do të thotë automatikisht siguri financiare.

Një nivel të ardhurash që konsiderohet relativisht i lartë në një vend mund të mos mjaftojë për të përballuar shpenzimet e strehimit, ushqimit, energjisë, transportit dhe nevojave të tjera të përditshme.

Për më tepër, aftësia për të jetuar rehat varet edhe nga pasuria, kursimet, pronësia mbi banesën dhe mundësia për të përballuar shpenzime të papritura.

Një familje që zotëron banesën e saj mund të ketë një situatë financiare më të qëndrueshme sesa një tjetër me të ardhura më të larta, por që paguan qira dhe ka detyrime të mëdha financiare.

Sipas ekspertëve, jetesa e rehatshme duhet të nënkuptojë jo vetëm mbulimin e shpenzimeve bazë, por edhe mundësinë për të kursyer, për të marrë pjesë në aktivitete sociale dhe për të përballuar një periudhë të përkohshme pa të ardhura.

Në këtë kuptim, shifra prej 723 eurosh për Shqipërinë nuk duhet interpretuar si një garanci për mirëqenie. Ajo tregon vetëm nivelin e të ardhurave që nevojitet për t'u renditur në kategorinë e mesme të lartë, në raport me shpërndarjen e të ardhurave brenda vendit.

Pragu i ulët shqiptar pasqyron, mbi të gjitha, diferencën e konsiderueshme të të ardhurave me pjesën më të madhe të Europës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat