Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 14:26

Dy gjimnaze të reja në Tiranë - Projektet/ Një godinë në Rrugën e Elbasanit, tjetra në Kopshtin Botanik 

Nga SCAN TV

Dy gjimnaze të reja në Tiranë - Projektet/ Një godinë

Një godinë e vjetër trekatëshe në Rrugën e Elbasanit, e destinuar fillimisht për përdorim spitalor, por që aktualisht është e braktisur dhe e amortizuar, do të shembet për t'i hapur rrugën ndërtimit të një gjimnazi të ri. Bashkia e Tiranës ka nisur procedurat për studimin dhe projektimin e objektit arsimor, i cili do të ndërtohet në një truall me sipërfaqe 4,869 metra katrorë, pranë Rrugës “Haxhi Alia”.

Godina ekzistuese zë një sipërfaqe prej 1,523 metrash katrorë në bazë dhe do të prishet plotësisht për t'u zëvendësuar nga një shkollë e mesme me kapacitet 630 nxënës. Gjimnazi i ri parashikohet të ketë 21 klasa mësimore, laboratorë të fizikës, kimisë, biologjisë dhe informatikës, palestër, terrene sportive, hapësira të gjelbra dhe ambiente të tjera ndihmëse.

Por ky nuk është objekti i vetëm arsimor që planifikohet të ndërtohet në kryeqytet. Një tjetër shkollë e re parashikohet të ngrihet brenda territorit të Kopshtit Botanik, në Rrugën “Selitë e Vjetër”. Projekti përfshin një kompleks arsimor në një truall prej 3,041 metrash katrorë, ku do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare me 20 klasa dhe kapacitet 600 nxënësish, së bashku me një kopsht për 96 fëmijë.

Kompleksi do të ketë laboratorë, bibliotekë, palestër, sallë multifunksionale, terrene sportive dhe hapësira rekreative. 

Në total, dy projektet parashikojnë krijimin e kapaciteteve për 1,230 nxënës dhe 96 fëmijë kopshti. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat