Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 15:45

Pagat, tatim me 3 fasha - Ulje për ato nën 300 mijë lekë, rritje për ato mbi 700  

Nga SCAN TV

Pagat, tatim me 3 fasha - Ulje për ato nën 300 mijë

Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi pritet të ndryshojë, duke kaluar nga dy në tri fasha tatimore. Paketa Fiskale 2027, e përgatitur nga qeveria, parashikon lehtësimin e barrës fiskale për punonjësit me paga të mesme dhe rritjen e tatimit për ata që kanë të ardhura shumë të larta.

Sipas ndryshimeve të propozuara, kufiri i fashës së tatimit 13% do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë bruto në muaj. Kjo do të thotë se pjesa e pagës që aktualisht tatohet me 23% do t'i nënshtrohet normës më të ulët prej 13%, duke sjellë një rritje të të ardhurave neto për punonjësit që përfitojnë nga ndryshimi.

Ndërkohë, për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë bruto në muaj do të vijojë të zbatohet norma 23% për pjesën përkatëse të të ardhurave të tatueshme. Risia tjetër është krijimi i një fashe të tretë, me normë tatimore 32%, e cila do të zbatohet për pjesën e pagës që tejkalon kufirin prej 700 mijë lekësh bruto në muaj.

Ndryshimet do të kenë ndikim edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, zgjerimi i fashës 13% pritet të sjellë një reduktim të të ardhurave buxhetore me 1.98 miliardë lekë në vit. Nga ana tjetër, aplikimi i normës së re 32% për pagat e larta parashikohet të gjenerojë rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë.

Në total, efekti neto i reformës llogaritet në rreth 1 miliard lekë më pak të ardhura për buxhetin e shtetit në vit, ekuivalente me afërsisht 10.5 milionë euro.

Megjithatë, ndryshimet nuk do të sjellin përfitime për të gjithë të punësuarit. Punonjësit me paga bruto deri në 200 mijë lekë në muaj nuk preken nga zgjerimi i fashës, ndërsa përfitimi përqendrohet te pagat mbi këtë nivel. Për pagat më të larta, lehtësimi nga zgjerimi i fashës 13% do të kompensohet pjesërisht ose tërësisht nga norma e re 32%.

Ndryshimet janë pjesë e projektligjit për tatimin mbi të ardhurat, që pritet të shqyrtohet në kuadër të Paketës Fiskale 2027.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat