Shqipëria Postuar më 28 October 2026, 15:31

Durana drejt ndërtimit - Parku teknologjik prezantohet në Francë. Nis procesi për zhvillimin fizik në Xhafzotaj

Nga Edel Strazimiri

Durana drejt ndërtimit - Parku teknologjik prezantohet në Francë.

Durana Tech Park po kalon nga modeli virtual i funksionimit drejt zhvillimit të infrastrukturës fizike në Xhafzotaj, Bashkia Shijak. Projekti ka aktualisht 88 kompani rezidente, pesë të tjera në proces vlerësimi, ndërsa 52 për qind e kompanive kanë kapital të huaj dhe ekosistemi numëron rreth 750 të punësuar.

Modeli i Duranës është përzgjedhur nga Shoqata Ndërkombëtare e Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit (IASP) si një nga përvojat që do të prezantohen në Konferencën e 43-të Botërore të Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit, që zhvillohet nga 27 deri më 30 tetor në Cannes të Francës.

Ndërkohë, më 26 tetor u mbajt dëgjesa e parë publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Planit të Detajuar të Zhvillimit të parkut, një hap i rëndësishëm në procesin e planifikimit të infrastrukturës së re. Në takim u prezantuan fazat e projektit dhe çështjet mjedisore që do të analizohen përpara vijimit të zhvillimit.

Drejtoresha Ekzekutive e Durana Tech Park, Florensa Haxhi, prezantoi detajet e projektit, ndërsa i pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo. Konsultimi përfshiu përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, Bankës Botërore, bizneseve, institucioneve akademike dhe komunitetit.

Plani aktual përfshin rreth 14 hektarë dhe parashikon krijimin e një hapësire të integruar për teknologjinë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen. Në perspektivë, po shqyrtohen edhe mundësitë për zgjerimin e projektit në prona shtetërore, me synimin për të krijuar një distrikt më të gjerë inovacioni.

Vlerësimi mjedisor do të trajtojë ndikimet e mundshme në biodiversitet, përdorimin e tokës, cilësinë e ajrit dhe ujërave, menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen akustike. Procesi synon të marrë në konsideratë edhe ndikimin e projektit te komuniteti dhe bizneset në zonën përreth.

Procesi do të vijojë me një dëgjesë të dytë publike, përpara përgatitjes së raportit përfundimtar dhe pajisjes me Deklaratën Mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Afati për dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve nga institucionet, komuniteti dhe grupet e interesit është 5 nëntor 2026, në adresën [email protected].

Zhvillimi i parkut mbështetet nga ekspertiza e Grupit të Bankës Botërore. Durana është përzgjedhur si projekt pilot i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) në nismën për zhvillimin e parqeve eko-industriale në Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Insider 28 October Angelo Haruni

Insider

E martë, e enjte, 20:00

Ekopol 28 October Aurora Sulçe

Ekopol

E hënë, e mërkurë 20:00

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat