Shqipëria Postuar më 28 October 2026, 10:27

Sa borxh ka Shqipëria? - Detyrimet në shtator, 24.6 miliardë lekë më të ulëta se në 2025. Përbëjnë 49.3% të PBB-së

Nga Ledina Elezi

Sa borxh ka Shqipëria? - Detyrimet në shtator, 24.6 miliardë

Borxhi publik i Shqipërisë ka zbritur në rreth 1.377 trilionë lekë në fund të muajit shtator, duke shënuar një rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026 përbën rreth 49.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në krahasim me fundin e vitit 2025, kur borxhi ishte rreth 1.402 trilionë lekë, ai është ulur me afro 24.6 miliardë lekë. Megjithatë, vetëm gjatë tremujorit të tretë, borxhi i qeverisë qendrore dhe ai i garantuar prej saj u rritën me rreth 8.1 miliardë lekë.

Por si ndahet ky borxh?

Pjesa më e madhe është marrë brenda vendit. Rreth 834 miliardë lekë janë borxh i brendshëm, kryesisht përmes bonove të thesarit dhe obligacioneve që qeveria u shet investitorëve në tregun vendas. Ndërsa rreth 543 miliardë lekë janë borxh i jashtëm, që përfshin kreditë nga institucionet financiare dhe huadhënësit e huaj, si edhe instrumentet e emetuara në tregjet ndërkombëtare.

Sa i përket monedhës, rreth 829 miliardë lekë të borxhit janë në monedhën vendase, ndërsa 548 miliardë lekë janë në valutë të huaj. Megjithatë, forcimi i lekut ndaj euros gjatë këtij viti ka ndihmuar në uljen e vlerës në lekë të detyrimeve të shprehura në valutë, edhe pse ecuria përfundimtare varet edhe nga huamarrja e re dhe shlyerjet.

Rënia e borxhit në raport me ekonominë lidhet edhe me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, edhe kur shuma e borxhit nuk bie ndjeshëm, rritja e ekonomisë mund ta ulë peshën e tij. Në të njëjtën kohë, ndryshimi i stokut ndikohet nga huamarrja e re, shlyerja e detyrimeve dhe lëvizjet e kursit të këmbimit.

Një borxh më i ulët në raport me ekonominë mund t’i lërë qeverisë më shumë hapësirë për të financuar shërbimet publike dhe investimet, si dhe të ulë rrezikun për financat e vendit. Por huamarrja mund të sjellë përfitime vetëm kur paratë përdoren me efektivitet, për shembull për infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik. Në të kundërt, interesat dhe shlyerjet marrin një pjesë të të ardhurave të buxhetit, duke kufizuar fondet për shëndetësinë, arsimin dhe nevojat e tjera të qytetarëve.

Për rrjedhojë, përveç madhësisë së borxhit, rëndësi ka edhe sa kushton ai, kur duhet shlyer dhe nëse paratë e marra hua sjellin zhvillim ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat