Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 15:24

Rama: Transparencë me çmimet - Kryeministri kërkon nga supermarketet të bëhen pjesë e platformës për krahasimin e produkteve

Nga Edel Strazimiri

10f964fe-8efa-4733-974b-ca678e7d2770.jpg

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve më shumë transparencë në përcaktimin e çmimeve, duke paralajmëruar se fitimet nuk duhet të rëndojnë në mënyrë të padrejtë mbi konsumatorët.

Gjatë takimit për platformën digjitale “Pasqyra e Çmimeve”, Rama tha se qeveria nuk synon të vendosë çmime apo të kufizojë fitimin e bizneseve, por kërkon që konsumatorët të kenë mundësi të informohen dhe të zgjedhin se ku mund të blejnë më lirë.

“Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”, u shpreh Rama, duke theksuar se sipërmarrjeve nuk po u kërkohet të heqin dorë nga fitimi apo të shndërrohen në organizata bamirësie.

Në fokus të platformës do të jetë krahasimi i çmimeve të produkteve në pika të ndryshme shitjeje. Rama kërkoi që supermarketet të paraqesin të dhëna të plota për produktet, përfshirë barkodin, markën, gramaturën dhe njësinë matëse, në mënyrë që krahasimi të jetë i njëjtë për të gjitha rrjetet.

Platforma, sipas tij, duhet të pasqyrojë edhe ndryshimin mes çmimit të zakonshëm dhe atij promocional, ndërsa përditësimi i të dhënave duhet të bëhet sipas një standardi të përbashkët.

Një tjetër kërkesë ishte që sistemi të tregojë kur një produkt nuk gjendet në stok. Sipas Ramës, kjo do të shmangte krahasimet vetëm në letër dhe do ta kthente platformën në një mjet praktik për konsumatorët.

Kryeministri kërkoi gjithashtu publikimin e listës së pikave të shitjes dhe adresave që do të përfshihen fillimisht në fazën pilot, me synimin që qytetarët të mund të kontrollojnë, krahasojnë dhe zgjedhin ofertat sipas vendit ku blejnë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat