Shqipëria Postuar më 18 September 2026, 15:17

Malaj: Po analizojmë marzhet e çmimeve - MF kërkon të identifikojë hapësirat për ndërhyrje fiskale në lehtësim të konsumatorëve

Nga Edel Strazimiri

777cef57-95ad-49b3-871b-c8a7b2d877c9.jpg

Ministria e Financave po analizon marzhet e fitimit në të gjithë zinxhirin e formimit të çmimeve, nga prodhuesi ose importuesi deri te konsumatori final. Lajmi u bë i ditur nga ministri Petrit Malaj gjatë takimit me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve, në kuadër të nismës “Pasqyra e Çmimeve”.

Malaj tha se analiza synon të identifikojë sektorët dhe hallkat e zinxhirit ku krijohen marzhet, si dhe të vlerësojë nëse ato i përgjigjen kushteve të tregut apo janë më të larta se sa justifikojnë kostot.

Sipas ministrit, të dhënat do t’i shërbejnë qeverisë për të kuptuar më mirë strukturën e çmimeve dhe për të identifikuar hapësirat ku mund të ndërhyhet përmes politikave fiskale, me synim uljen e barrës për konsumatorët.

Një tjetër element i ngritur nga Malaj ishte forcimi i lekut ndaj euros. Sipas tij, zhvlerësimi i euros ka ndikuar në të ardhurat buxhetore nga importet. Për shtatëmujorin e parë të vitit, ministri tha se kjo ka sjellë një mungesë në buxhet prej rreth 50 milionë eurosh.

Sipas tij, ky efekt duhej të reflektohej të paktën pjesërisht në çmimet e produkteve të importuara, ndërsa analizat e Ministrisë së Ekonomisë tregojnë se çmimet mesatare për produktet bazë dhe të shportës mbeten të larta.

Malaj u bëri thirrje supermarketeve dhe furnitorëve të bashkëpunojnë vullnetarisht me këtë proces, duke paralajmëruar se në të kundërt qeveria do të vijojë analizën pranë subjekteve për të mbledhur të dhënat e nevojshme.

“Ne do ta bëjmë këtë analizë, ne do t’i vlerësojmë të gjitha marzhet”, deklaroi ministri, duke theksuar se rezultati do të përdoret për orientimin e politikave fiskale që synojnë lehtësimin e konsumatorëve nga çmimet e larta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat