Analiza Postuar më 29 October 2026, 10:06

Pagat e larta, 5-fishohet pesha/ Mbi 17% e punonjësve marrin rroga mbi 120 mijë lekë, nga vetëm 3.5% në vitin 2016

Nga Xhorxhina Deda

Pagat e larta, 5-fishohet pesha/ Mbi 17% e punonjësve marrin rroga mbi 120

Paketa fiskale e vitit 2027 pritet të ndryshojë mënyrën e tatimit të pagave të larta në Shqipëri. Qeveria propozon rritjen nga 200 mijë në 300 mijë lekë të pragut të pagës bruto mujore mbi të cilin zbatohet tatimi prej 23%, ndërsa për pjesën e pagës që tejkalon 700 mijë lekë parashikohet një normë e re prej 32%.

Por sa është zgjeruar ndër vite kategoria e shqiptarëve që marrin paga të larta?

Një analizë e Scan Intel, bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, tregon se pesha e punonjësve me paga bruto mbi 120 mijë lekë është rritur pothuajse pesëfish gjatë dhjetë viteve të fundit.

Në vitin 2016, vetëm 3.5% e kontribuesve të punësuar me pagë merrnin mbi 120 mijë lekë në muaj, ndërsa në vitin 2017 kjo përqindje arriti në 3.8%. Zgjerimi i kësaj kategorie bëhet veçanërisht i dukshëm në vitet e fundit. Në vitin 2023, punonjësit me paga mbi 120 mijë lekë përbënin 8.9% të totalit, ndërsa në vitin 2024 pesha e tyre u rrit në 11.8%.

Sipas raportit Tregu i Punës 2025, kjo kategori përfaqësonte rreth 14.5% të kontribuesve të punësuar me pagë. Po i njëjti raport vlerëson se gjatë vitit 2025 Shqipëria kishte 562,828 të punësuar me pagë. Nëse mbi këtë numër zbatojmë peshën prej 14.4% të raportuar në tabelën e detajuar të pagave, rezultojnë rreth 81 mijë punonjës me paga mbi 120 mijë lekë bruto në muaj.

Megjithatë, kjo shifër është një përllogaritje orientuese e Scan Intel, pasi numri i të punësuarve mbështetet në Anketën e Forcave të Punës, ndërsa shpërndarja sipas pagave në të dhënat administrative të Tatimeve.

Ndërkohë, statistikat më të fundit tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026 pesha e punonjësve me paga mbi 120 mijë lekë arriti në 17.1%, niveli më i lartë i periudhës së analizuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat