Shqipëria Postuar më 29 October 2026, 09:19

Sa shkon taksa vjetore e makinës? Zbardhet formula e përllogaritjes, pas heqjes së taksës së qarkullimit në karburant

Nga Ola Mitre

Sa shkon taksa vjetore e makinës? Zbardhet formula e përllogaritjes,

Më pak taksa për çdo litër naftë apo benzinë, por një pagesë vjetore më e lartë për makinën. Kjo është ajo që parashikon projektligji “Për taksat kombëtare”, që ka mbërritur në Kuvend për diskutim e që propozohet të zbatohet nga 1 janari 2027.
Sipas propozimit, nga çmimi i karburanteve do të hiqet taksa e qarkullimit prej 27 lekë/litër. Bashkë me TVSH-në që paguhet mbi këtë taksë, barra tatimore ulet me 32,4 lekë/litër. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çmimi në pikat e karburantit do të bjerë automatikisht me të njëjtën shumë, pasi ai ndikohet edhe nga tregjet ndërkombëtare dhe kostot e furnizimit.
Nga ana tjetër, pronarët e makinave do të paguajnë më shumë për taksën vjetore. Shuma do të varet nga tre elemente: madhësia e motorit, vjetërsia e makinës dhe karburanti që përdor. Sa më i madh motori dhe sa më e vjetër makina, aq më e lartë do të jetë pagesa. Për të njëjtin motor dhe të njëjtën vjetërsi, makinat me naftë do të paguajnë më shumë se ato me benzinë apo gaz.
Formula mbetet shumëzimi i cilindratës me koeficientin e vjetërsisë dhe tarifën sipas karburantit, por rriten tarifat dhe rishikohen koeficientët.
Për autoveturat me motor deri në 2 000 cm3, tarifa për naftën rritet nga 12,5 në 25 lekë, ndërsa për benzinën nga 10 në 20 lekë. Edhe për gazin propozohet tarifa 20 lekë. Për motorët mbi 2 000 cm3, tarifat bëhen përkatësisht 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën apo gazin. Për autobusët parashikohen tarifa prej 25 lekësh për naftën dhe 20 lekësh për benzinën ose gazin.
Duke marrë në konsideratë elementet e formulës së propozuar, një makinë me naftë dhe motor 1.6 do të paguajë 7 600 lekë në vit nëse është 5-vjeçare. Për një makinë 10-vjeçare me të njëjtin motor, taksa bëhet 9 600 lekë. Kur makina është 15-vjeçare, pagesa arrin në 17 600 lekë, ndërsa për një makinë 20-vjeçare shkon në 25 600 lekë.
Nëse i njëjti motor përdor benzinë apo gaz, taksa është më e ulët. Një makinë 10-vjeçare me motor 1.6 do të paguajë 7 680 lekë në vit, ndërsa një makinë 20-vjeçare 20 480 lekë.
Le të marrim edhe dy raste konkrete. Për një makinë të prodhuar në vitin 2014, me naftë dhe motor 1.6, taksa në vitin 2027 do të jetë 14 400 lekë. Ndërsa për një makinë të vitit 2010, me naftë dhe motor 2.2, duke marrë cilindratën 2 200 cm3, pagesa vjetore arrin në 29 744 lekë.
Këto shuma përfshijnë vetëm taksën e makinës. Siguracioni dhe kontrolli teknik paguhen veçmas.
Ndryshimet prekin edhe makinat e reja, të cilat aktualisht përjashtohen nga kjo taksë në tre vitet e para. Projektligji propozon heqjen e këtij përjashtimi.
Gjithashtu, për makinat elektrike parashikohet një pagesë fikse prej 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motorët elektrikë 1 mijë lekë. Për automjetet që klasifikohen si luksoze, taksa e posaçme vjetore rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.
Në skemë përfshihen edhe rimorkiot dhe gjysmërimorkiot. Për ato me peshë deri në 50 tonë do të paguhet 1 lek/kilogram, ndërsa mbi këtë peshë taksa do të jetë 60 mijë lekë në vit.
Pagesa e taksës së mjetit do të vlejë për 365 ditë. Nëse pronari vonohet më shumë se dhjetë ditë pas përfundimit të këtij afati, parashikohet gjobë.
Projektligji ndryshon edhe ndarjen e parave të mbledhura: bashkive do t’u kalojë 5% e të ardhurave nga taksa vjetore e mjeteve, nga 25% aktualish, duke uler edhe përqindjen që përfiton institucioni që mbledh taksat përkatëse.
Sipas Ministrisë së Financave, pagesat më të larta për automjetet synojnë të mbulojnë pjesërisht të ardhurat që buxheti humbet nga heqja e taksës te karburantet. Në total, paketa pritet t’i sjellë buxhetit rreth 5 miliardë lekë më pak të ardhura.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat